Nga Kristaq Xaro/

Në fillim besoja se pas Kajros, ku u mblodhën më të fuqishmit e botës, Trump do të ndodhej në Oslo. Me tetë konflikte të shmangura ose të zbutura gjatë mandatit të tij: Indi–Pakistan, Serbi–Kosovë, Kongo–Ruanda, Izrael–Iran, Tajlandë–Kamboxhia, Egjipt–Etiopi, Armeni–Azerbajxhan dhe Izrael–Palestinë (Gaza) – gjithçka dukej e qartë: Trump do të ishte një kandidat i pashmangshëm për Çmimin Nobel të Paqes.

Por me sa duket “Trump 8.0” do të duhet të presë edhe një nominim të nëntë – këtë herë nga shqiptarët – për një mision krejt tjetër: të çlirojë Hagën nga paranojat e saj.
Nëse dikur u quajt “arkitekti i marrëveshjeve të pamundura”, tani ndoshta kërkohet si “sistem antivirus”, që mund të ndalojë viruset e hipokrizisë ndërkombëtare. Sepse atje, në Hagë, nuk po zhvillohet më një gjyq për drejtësi, por një gjyq politik që luan me instrumente juridike, kundër historisë së një populli që mbijetoi. Dhe në këtë lojë të rreme, ndoshta vetëm Trump di si t’i japë fund – me mënyrën e tij unike, por të drejtpërdrejtë, që i vë të gjithë në vendin e vet.

Në Hagë, për shqiptarët drejtësia ka humbur busullën e endet midis dosjeve të mbledhura në bodrumet e Beogradit dhe raporteve të prokurorëve që nuk dëshirojnë të shohin të vërtetën. Në vendin ku dikur dënohej agresioni, sot dënohet çlirimi, aty ku jepeshin dënime për krime, sot shpërndahen ndëshkime për simbolet e mbijetesës dhe çlirimit. Haga po kthehet për shqiptarët në laboratorin më absurd të moralit të përmbysur – një vend ku çdo e vërtetë kalon nëpër filtra të interesave politikë përpara se të pranohen si fakte. Dhe në këtë pikë, drejtësia ka nevojë për një “update moral”, për një Trump 9.0, versioni që mund ta çlirojë nga paranojat.

Në Hagë kërkohet një luftë për mbijetesë ‘e pastër, pa baltë, pa pluhur, pa gjak e pa dhimbje’, mundësisht përballë tankeve dhe artilerisë vetëm me topa bore… Një luftë muzeale ku viktima duhet të qëndrojë i qetë për të mos humbur statusin moral. Në çastin që ajo mbron veten, shpallet e dyshimtë. Kështu ndodhi me UÇK-në: që për shqiptarët është simbol mbijetese, për Hagën është “objekt studimi” që në fund quhet “ndërmarrje kriminale”. Haga po kërkon engjëj pa armë, por harron se para se të ishin engjëj, ata ishin njerëz që luftuan për të mos u zhdukur. Ndoshta vetëm një Trump 9.0 mund t’i kujtojë se ‘…nuk mund të gjykosh një popull që u ngrit për të mos u zhdukur, sepse pa atë fitore, s’do të kishte as drejtësi për ta gjykuar e ndoshta edhe Haga do të mbetej pa punë…

Në përpjekje për “neutralitet”, gjykata ka rënë në absurditetin më të madh moral: barazon viktimën me agresorin. “Të dyja palët kanë kryer krime,” thonë gjykatësit me ton burokratik, sikur të flisnin për një zënkë mes dy fqinjësh e jo për një luftë çlirimi kundër një shteti pushtues. Në këtë logjikë sterile, të mbrosh jetën e fëmijës barazohet me krimin e atij që ta dogji shtëpinë, përdhunoi gratë, dogji pleqtë. Ironikisht, Haga po ngjan me një laborator ku shpirti duhet të kalojë nëpër filtrat e korrektësisë politike përpara se të shpallet “i pastër”. Trump, me gjuhën e tij të papërmbajtur, do ta kishte thënë më thjeshtë: “Krimi nuk barazohet kurrë me mbrojtjen.” Dhe ndoshta do t’i kujtonte Hagës se liria nuk ka pse kërkon leje për t’u mbrojtur.
Hagës i ka hyrë frikë edhe nga fjala “çlirim”. Sa herë përmendet UÇK-ja, bien temperaturat e ftohen sallat. A thua fjala vetë të jetë ndonjë virus që infekton dokumentet sterile. E vërteta është se në Hagë nuk po gjykohen individë por kauza, ide dhe histori. Dhe idetë, për etsablishmentin, janë më të rrezikshme se armët, sepse ato frymëzojnë. Çdo fjalë e një ish-ushtari çlirimtar peshohet me kandar farmacie dhe çdo akt heroik po interpretohet si devijim moral dhe heroizmi nuk futet dot në kornizat e procedurës penale, sepse prish ekuilibrin e letrave. Prandaj vetëm një figurë e guximshme si Trump do t’u kujtonte se ‘…bota nuk mbahet nga burokratët, por nga ata që guxojnë…’

Por nuk mbaron me kaq…

Haga duket se vuan nga frika e precedentit politik. Nëse pranon se lufta e Kosovës ishte e drejtë, atëherë bie maska e “drejtësisë universale”. Do të duhej të pranonin se në Bosnje, Ukrainë apo Palestinë, drejtësia ka mbyllur sytë. Më mirë të “balancohet” çdo dosje, të relativizohet çdo fakt, të krijohet përshtypja se të gjithë janë njësoj fajtorë. Sepse vetëm kështu askush s’mund të jetë plotësisht i pafajshëm. Trump 9.0 do ta kishte thënë troç: “Fake justice.” Sepse ndonjëherë për të shpëtuar drejtësinë, duhet ta zhveshësh nga moralizmi i rremë – dhe këtë, për mirë apo për keq, ai do ta kishte bërë pa frikë.

Por, paranoja më e thellë e Hagës është frika nga kujtesa, nga historia. Gjykata nuk gjykon më për të ndëshkuar, por për të rishkruar versionin e interesuar të historisë. Ajo do të zëvendësojë “luftë çlirimtare” me “konflikt të brendshëm”, “heronj” me “të akuzuar”, “fitore” me “përgjegjësi kolektive”. Por, ajo harron se kujtesa nuk gjykohet sepse jeton në rrëfimet e atyre që mbijetuan, jo në faqet e ftohta të raporteve ligjore. Trump 9.0 është metafora e rebelimit kundër aparatit – jo për perfeksion moral, por për instinkt njerëzor. Dhe Hagës pikërisht kjo i mungon: instinkti për të ndjerë përpara se të gjykojë.

Pastaj vjen paradoksi më i hidhur: luftën e gjykojnë ata që s’e kanë përjetuar kurrë. Asnjëri prej gjyqtarëve të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë nuk vjen nga Kosova, as nga ndonjë shtet që ka njohur ferrin e luftës. Asnjë nuk ka dëgjuar sirenat e bombardimeve, nuk ka parë rrënoja, nuk ka ndier frikën që i futet në palcë, nuk është ushqyer me rrënjë bimësh… E përsëri flasin për “proporcionalitet ushtarak”, sikur mbijetesa të mund të matet me kalori morale. Ata gjykojnë nga manualet, jo nga ndjesia njerëzore. Ndoshta vetëm Trump do t’i kishte përqeshur: “Këta njerëz s’e dinë ç’është frika, por japin leksione për guxim.” Në vend që të kuptojnë pse një popull luftoi, ata analizojnë nëse e bëri “sipas rregullave”. Kjo nuk është drejtësi. Është burokraci me veladon.

Në këtë epokë të drejtësisë ‘ChatGPT’, ku çdo vendim kalon nëpër filtra korrektësie përpara se të mendohet, vërtet duhet një Trump 9.0 – jo për të ndëshkuar, por për të çliruar. Jo për të rishkruar historinë, por për ta shpëtuar nga hipokrizia që po e deformon. Në këtë rrugë, Kosova nuk është fajtore – është prova, që një popull mund të fitojë lirinë edhe kur bota nuk beson më në të. Dhe ndoshta vetëm një Trump 9.0, i lirë nga komplekset diplomatike dhe nga frika e “mirësjelljes ndërkombëtare”, mund t’i kujtojë Hagës një të vërtetë që s’ka nevojë për përkthim: Nuk gjykohet dot liria që i hapi sytë botës mbi krimin.

*Lektor për Çështje të Sigurisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET