Në nder të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë vendimin për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel.
Ky është vendi ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa nga veprat më të njohura të letërsisë së tij.
Lajmin e bëri me dije Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë hap si një “akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për të gjithë kulturën shqiptare”.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij, njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
“Me votim unanim, u miratua vendosja e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris — vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij”.