Këshilli i Lartë i Prokurorisë me drejtuese Mirela Bogdani po kryen sot raportimin vjetor në Komisionin e Ligjeve në Kuvend.

E pyetur për zgjedhjen kreut të Byrosë Kombëtare dhe SPAK, Bogdani tregoi fazën në të cilën ndodhet procesi.

Për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli i KLP në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe komisioni i posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.

“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë propozimin për ta caktuar sipas ligjit. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të presim emrin nga SPAK dhe komisioni”,- tha Bogdani.

Për drejtuesin e SPAK, Bogdani tha se në vazhdim KLP do të vazhdojë me verifikim e platformave, profilit të tyre etj. Ndër të tjera, theksoi se KLP nuk po përballet me presion nga asnjë faktor për përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme.

“Unë e përmenda pak më pas për që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Ka sugjerimesh, nuk ka presione”,- tha Bogdani.

Sa i përket arrestimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan, Bogdani tha se KLP ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit informacion më të detajuar lidhur me ngjarjen dhe më pas do të dalë me një qëndrim për rastin.

“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje sot dhe diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion dhe më pas do të qartësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një informacion të plotë të mënyrës se si kanë rrjedhur ngjarjet”,- tha drejtuesja e KLP.