Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka deklaruar se një anije e bombarduar së fundmi nga SHBA ishte “kolumbiane dhe me shtetas kolumbianë në bord”, një akuzë që Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar si “të pabazë”.

Shtetet e Bashkuara kanë goditur të paktën katër mjete lundruese në Karaibe javët e fundit, duke vrarë 21 persona. Qeveria amerikane ka thënë se këto goditje në ujërat ndërkombëtare kishin në shënjestër “trafikantë droge”.

Por ajo nuk ka ofruar prova apo detaje mbi identitetin e personave ose ngarkesës në bord, dhe këto sulme janë dënuar nga vende të rajonit mes shqetësimeve se përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Senati amerikan rrëzoi të mërkurën një projektligj që do t’i ndalonte Presidentit Donald Trump përdorimin e forcës ushtarake kundër këtyre anijeve.

Petro iu përgjigj një postimi në X nga senatori demokrat Adam Schiff, i cili tha se do të votonte për të bllokuar goditjet ndaj mjeteve detare në Karaibe, në kohën kur disa ligjvënës kërkonin të sfidonin përdorimin e forcës ushtarake nga presidenti pa miratimin e Kongresit.

Presidenti kolumbian deklaroi se është hapur një “skenar i ri lufte: Karaibet”.

Petro shtoi se “ka të dhëna që tregojnë se anija e fundit e bombarduar ishte kolumbiane dhe me shtetas kolumbianë në bord.

Shpresoj që familjet e tyre të dalin dhe ta raportojnë. Nuk ka luftë kundër kontrabandës; ka një luftë për naftë dhe ajo duhet ndalur nga e gjithë bota. Agresioni është kundër gjithë Amerikës Latine dhe Karaibeve.”

Petro nuk dha më shumë detaje mbi identitetin e personave të dyshuar në bord. SHBA nuk ka komentuar për identitetin e individëve të vrarë në këto sulme.

Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë, tha se “pret që Presidenti Petro të tërheqë publikisht deklaratën e tij të pabazë dhe të dënueshme”.
Ajo shtoi se, ndonëse dy vendet kanë “mospërputhje në politika”, SHBA mbetet “e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë në një sërë prioritetesh të përbashkëta, përfshirë sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Duke folur të enjten në Forumin Global të Portës Evropiane në Bruksel, Petro tha se kishte kërkuar mbledhjen e të gjithë ministrave të Jashtëm të vendeve të Karaibeve lidhur me këto goditje.

SHBA thotë se sulmet, të cilat nisën më 2 shtator, kishin në shënjestër mjete pranë brigjeve të Venezuelës që pretendohet se transportonin drogë të paligjshme.

Projektligji i shqyrtuar nga Senati të mërkurën, i cili do të kërkonte që Trump të merrte miratim nga Kongresi për goditjet, u rrëzua me votim 48 pro dhe 51 kundër.
Ai ishte paraqitur nga senatorët demokratë Adam Schiff dhe Tim Kaine. Votimi ishte kryesisht përgjatë vijave partiake.

Më herët këtë muaj, një memo e rrjedhur e dërguar Kongresit tregonte se SHBA tani e kategorizon veten si të përfshirë në një “konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar”.

Përshkrimi i situatës si një konflikt aktiv i armatosur ka gjasa të shërbejë për të justifikuar përdorimin e kompetencave të kohës së luftës, përfshirë vrasjen e “luftëtarëve armiq”, edhe nëse ata nuk paraqesin një kërcënim të dhunshëm.

Trump tashmë ka shpallur shumë kartele droge përfshirë ato në Meksikë, Ekuador dhe Venezuelë – si organizata terroriste, gjë që i jep autoriteteve amerikane më shumë kompetenca për të vepruar kundër tyre.