Në ambientet e Ministrisë së Financave, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli dhe Drejtori i AKSHE-së, Andrea Shllaku, në prani të Ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ky akt institucional ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për lehtësimin e zbatimit të kuadrit ligjor në fuqi dhe për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e kontrollit të mallrave me përdorim të dyfishtë dhe atyre ushtarake.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen të zhvillojnë një platformë efektive komunikimi dhe shkëmbimi informacioni, si dhe të ofrojnë asistencë teknike gjatë identifikimit dhe klasifikimit të mallrave që hyjnë ose dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 46/2018 dhe Kodit Doganor.
Marrëveshja vijon traditën e mirë të bashkëpunimit të konsoliduar ndër vite midis DPD dhe AKSHE, duke formalizuar dhe institucionalizuar bashkërendimin e veprimeve për kontrollin e flukseve tregtare strategjike. Ajo përcakton qartë format e ndërveprimit dhe detyrat përkatëse të secilit institucion, me qëllim sigurimin e një shkëmbimi të shpejtë, efikas dhe efektiv të informacionit.
Gjithashtu, parashikohet realizimi i analizave të përbashkëta të riskut për minimizimin e rreziqeve që lidhen me transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, si dhe për parandalimin e trafikut të tyre të paligjshëm.
Në funksion të përmirësimit të efikasitetit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale, palët do të angazhojnë ekspertët përkatës dhe do të bashkëpunojnë në hartimin e planeve dhe programeve të trajnimit, me qëllim rritjen e njohurive teorike dhe praktike të personelit doganor në fushën e sigurisë dhe mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje pritet të sjellë rezultate të prekshme në: rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale; përmirësimin e kohës së reagimit dhe verifikimit; forcimin e mbrojtjes kundër përdorimeve të paligjshme të mallrave strategjike; përputhshmërinë e plotë me regjimet dhe standardet ndërkombëtare të kontrollit të eksporteve.
Bashkëpunimi ndërmjet Doganës dhe AKSHE-së mbetet një shembull i suksesshëm i partneritetit ndërinstitucional, që kontribuon drejtpërdrejt në garantimin e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e interesave strategjike të shtetit dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.