Sot, Sali Berisha ka konfirmuar në dyert e Parlamentit se përfaqësuesit e PD-së po takohen me PS-në për ndryshimet kushtetuese.

Idenë e ndryshimit të Kushtetutës e hodhi Edi Rama më 10 shtator, në Asamblenë e PS-së.

Sali Berisha aktroi hapur dhe u shmang pyetjes së gazetares për takimin me Ramën, por konfirmoi dy fakte politike:

– Ai pranoi se përfaqësuesit e tij po negociojnë me Ramën për ndryshimin e Kushtetutës.

– Ai konfirmoi se pranon idenë e Senatit dhe uljen e numrit të deputetëve.

Por pse Berisha dhe Rama po nxitojnë të ndryshojnë Kushtetutën?

Ky është momenti më delikat për të dy në raport me drejtësinë dhe SPAK-un.

Berisha po gjykohet dhe i duhet me çdo kusht pafajësia. Rama, nga ana tjetër, ndjehet i cënuar nga çdo ministër që është hetuar apo arrestuar.

Ky është momenti më i favorshëm diplomatik, sepse nuk ka ambasador amerikan që t’u ndërhyjë dhe t’u ndalë dorën në reformat kushtetuese, edhe kur ato cënojnë interesat publike apo vetë demokracinë.

Por çfarë do të ndryshojnë Berisha dhe Rama në Kushtetutë?

1- Kuvendi do të ketë dy dhoma: Parlamentin dhe Senatin.

Berisha dhe Rama garantohen si senatorë të përjetshëm.

Berisha, si më i moshuari, bëhet kryetar Senati.

2- Parlamenti do të ketë 100 deputetë dhe pragu për hyrje në Kuvend do të jetë 7%.

Një deputet duhet të sigurojë 20.000 vota në Tiranë.

Me këtë formulë, çdo parti e re nuk kalon pragun dhe mbetet jashtë.

Kjo garanton sistemin dypartiak PS–PD.

3- Republika kthehet në gjysëm presidenciale dhe Rama bëhet si Donald Trump – kryeministër dhe president në të njëjtën kohë.

Mandati i Presidentit Edi Rama bëhet si ai i Taip Erdoganit: 7-vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje dy herë.

Pra, Rama president–kryeministër deri në vitin 2040.

4- Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti, si në SHBA.

SPAK-u mbaron mandatin në vitin 2028 dhe nuk vazhdon më, por riorganizohet brenda Prokurorisë së Përgjithshme.

Nuk janë shumë ndryshime – vetëm katër kapituj – por ato çimentojnë establishmentin për edhe 40 vjet të tjera.

Kushtetuta e re nuk u garanton Ramës dhe Berishës jetën biologjike, por përjetësinë politike.

Mos u habisni për “profecinë” time politike, por për analizën time juridike.

Ky projekt është 100% fundi i çdo partie të re në Shqipëri dhe krijimi i një monarkie moderne, të kamufluar si pluralizëm.

Thjesht, për dy dekada do të kemi një mbret dhe një (maxhordom) shërbëtor kryesor që do t’i bëjë fresk natën, por ditën do të shtiret si kritik i tij.

Ky është fundi më tragjik i demokracisë parlamentare në Shqipëri.

Kjo histori më kujton Gabriel García Márquez-in, i cili përshkruante:

“Mbretin që e rrethonin opozitarët e tij prej pasqyrash, dhe rebeloheshin vetëm sa për ta reflektuar më ndritshëm fytyrën e tij.”