Nga Ermal Peçi
Ka njerëz që mendojnë se mund t’i rezistojnë pafundësisht realitetit. Milorad Dodik ishte një prej tyre. Për vite me radhë ai sfidoi SHBA-në, BE-në dhe vetë strukturën shtetërore të Bosnjës, duke ndërtuar një sistem paralel pushteti mbi retorikën e ndarjes dhe nacionalizmit. Por ditët e fundit treguan se edhe më të fortët, kur përballen me presionin e realpolitikës ndërkombëtare, në fund detyrohen të përkulen.
Dodik, i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, pranoi të tërhiqet nga posti i presidentit të Republikës Serbe. Ky ishte një akt i diktuar jo nga reflektimi, por nga izolimi. Nga frika se çdo hap tjetër do ta çonte drejt një fundi politik të pashmangshëm. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën menjëherë duke hequr sanksionet ndaj disa bashkëpunëtorëve të tij, një sinjal i qartë se rruga e vetme drejt normalizimit është dorëzimi, jo përplasja.
Në të njëjtën logjikë, nuk është e vështirë të shohësh paralelizmin me Sali Berishën edhe ai, si Dodiku, është shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Edhe ai ka zgjedhur ta interpretojë ndëshkimin ndërkombëtar si një komplot kundër tij, duke ndërtuar një realitet paralel ku çdo kritikë është armik, çdo kundërshtar tradhtar dhe çdo fakt—një pjesë e një konspiracioni global kundër “liderit historik”.
Por ndryshe nga Dodiku, i cili më në fund e kuptoi se përplasja me Perëndimin nuk të çon askund, Berisha vazhdon të luftojë me hijet e së shkuarës. Ai po udhëheq një betejë që nuk ka më terren, një opozitë që është më shumë tribunë personale se alternativë politike. Çdo ditë që kalon, ai izolohet më shumë, jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga vetë shoqëria që kërkon diçka përtej mitologjisë të së kaluarës.
Pasojat janë të dukshme. Partia Demokratike, dikur shtylla e vetme e qendrës së djathtë, është sot më e vogël se kurrë. Ajo nuk përfaqëson më energjinë e shpresës, por ngjashëm me një klub nostalgjik, endet mes sharjeve dhe mllefeve. Berisha e mori vulën e partisë jo përmes një procesi politik të ndershëm, por përmes një skenari të orkestruar ku përfshihej edhe pushteti që ai pretendon se e lufton. Ish-deputeti Ferdinand Xhaferraj e tha hapur: “Vula nuk iu dha nga gjykata, por nga Rama.” Kjo e vërtetë, e hidhur por e qartë, tregon se Berisha është sot më shumë një instrument i sistemit sesa sfidues i tij.
Në vend që të ndërtojë opozitë, ai po shkatërron çdo mundësi për rilindje të saj. Herë e mban peng PD-në duke e përdorur si mburojë ndaj drejtësisë, herë kërkon marrëveshje të fshehta me Ramën për të fituar pak kohë politike. Një ditë bën thirrje për revolucion, ditën tjetër kërkon paqe për interes personal. Në këtë pingpong politik, PD po tretet, ndërsa Berisha po shndërrohet në simbolin e një opozite që jeton vetëm për të mbijetuar.
Ndërkohë, asgjë nuk ka ndryshuar në raportin e tij me SHBA-të. Non grata mbetet aty, Trump as nuk e di në ekziston një adhurues i flakët përtej oqeanit i cili ka krijuar një mur me deklarata që mund t’i bien e ta zënë brenda. Për Berishën, si për Dodikun, fajin e kanë gjithmonë të tjerët dhe asnjëherë ata sepse ata janë engjëjt e politikës që do shpëtojnë demokracitë me mënyra totalitare.
Historia e Dodikut është një paralajmërim i qartë: askush nuk i shpëton realitetit. Mund të sfidosh një herë, dy herë, por në fund, kur bota mbyll derën, nuk ka më as rrugë, as dritë në fund të tunelit.
Berisha ende beson se mund të fitojë duke luajtur jashtë rregullave. Por siç tregoi Bosnja, në politikë si në jetë, kush s’e pranon realitetin, bëhet peng i vetes.