Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër në lidhje mbi sulmin e Lëvizjes VetëVendosje të Albin Kurtit, që bëri ndaj kryeministrit Edi Rama për protestën e thirrur në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, OVL shkruan se LVV e drejtuar nga Albin Kurti, po përpiqet që të politizojë protestën, me qëllimin për ta zbehur atë.
Në deklaratë theksohet se kjo protestë nuk është e asnjë partie politike, por zëri i popullit shqiptar që nuk pajtohet me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thekson OVL në deklaratë.
Ndërsa më tej nënvizohet se nuk kërkohet retorikë politikë, por kërkohet drejtësi për krerët e UÇK-së.
Gjithashtu Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka falenderuar kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tyre është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë.
Deklarata e plotë:
Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.
Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.
Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë.
OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.
Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë.
Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive.
Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë.
Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë.