Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për Redi Mollën, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës.
Sipas vendimit të fundit, Molla është dërguar në arrest shtëpie për arsye shëndetësore, duke lënë pas arrestin me burg.
Molla është një nga personat e përfshirë në hetimet për aferat e dyshuara korruptive në Bashkinë e Tiranës, ku disa zyrtarë të lartë ndodhen tashmë të ndaluar.
Vendimi zyrtar:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më 10.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim R.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, si më poshtë:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit R.M., me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar të pandehurin R.M., të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: *.
Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të pandehurit R.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin në bashkëpunim me policinë gjyqësore, të zbatimit të urdhërimit të dhënë të pandehurit, nga kjo gjykatë.
U shpall sot në Tiranë, më datë 10.10.2025.