Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të premte në fshatin Pllanë të Lezhës, ku një 65-vjeçar është gjetur pa shenja jete në breg të lumit Mat.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 14:40, shtetasja A. Gj. ka telefonuar Sallën Operative të Policisë, duke raportuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gjergj Tusha, banues në Pllanë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet në terren. Rreth orës 17:30, trupi i pajetë i 65-vjeçarit është gjetur buzë lumit Mat, në zonën ku ai banonte.

Nga këqyrja paraprake, viktima dyshohet se është qëlluar me armë zjarri, pasi në trupin e tij janë konstatuar shenja dhune dhe një plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.

Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorit ose autorëve të dyshuar.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, së bashku me forcat e Njësisë Speciale të Forcës Kombëtare të Sigurisë Shkodër, po kryejnë kontrolle të imtësishme në zonë me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.