Image ref 90193839. Copyright Shutterstock No reproduction without permission. See www.shutterstock.com/license for more information.

Letonia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Andorrës, në sfidën e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit, grup ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ky rezultat shënon pikën e parë për Andorrën pas gjashtë ndeshjesh të zhvilluara, ndërsa Letonia ngjitet në kuotën e 5 pikëve, duke ruajtur vendin e parafundit në renditje.

Për sa i përket zhvillimeve në fushë, miqtë kaluan të parët në avantazh me San Nikolas në minutën e 33-të. Letonia reagoi shpejt dhe arriti të barazojë me Zelenkovs në minutën e 41-të, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, vendasit kaluan për herë të parë në epërsi me anë të Gutkovkis, i cili realizoi nga pika e bardhë në minutën e 55-të. Por Andorra nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë në minutën e 78-të me golin e Oliveiras.

Në ndeshjen e radhës, Letonia do të presë Anglinë më 14 tetor, ndërsa Andorra do të përballet në shtëpi me Serbinë, po më 14 tetor.

Aktualisht, kreun e Grupit K e mban Anglia me pikë të plota, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë. Serbia renditet në vend të tretë me 7 pikë dhe një ndeshje më pak. Në fund të tabelës qëndrojnë Letonia me 5 pikë dhe Andorra me 1 pikë.