Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se është shkelur Kushtetuta.
Lajmin e beri të ditur nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë Igor Simic.
“Në të njëjtën kohë, kërkuam futjen e një mase të përkohshme me qëllim ndalimin e veprimeve jokushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme”, tha Simic.
Sipas tij nëse ky veprim do të cilësohej i drejtë atëherë zgjedhjet do të ishin të pakuptimta.
“Duam t’u dërgojmë një mesazh të gjithëve se kjo nuk është çështje e një vendi në Kuvend, por e respektimit të së drejtës së popullit serb për të zgjedhur përfaqësuesit e vet dhe për të pasur përfaqësim adekuat në institucione. Përndryshe, nëse kjo dhunë e shumicës mbi pakicën do të legalizohej, atëherë zgjedhjet do të ishin absolutisht të pakuptimta, sepse shumica e anëtarëve shqiptarë të parlamentit gjithmonë mund tu impononte përfaqësues serbëve, siç ka bërë Kurti që kur erdhi në pushtet”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.