Një ngjarje e rëndë tronditi sot sistemin e drejtësisë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, u vra brenda ambienteve të gjykatës.
Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë dhe aktualisht kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili e cilëson vrasjen e gjyqtarit si një akt barbar dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe drejtësisë.
“Një humbje që trondit drejtësinë! Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke marrë jetën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja,” shkruan Manja.
Ai kujton bashkëpunimin me gjyqtarin Kalaja në fillim të viteve 2000 në Shkodër, duke e përshkruar atë si një njeri me integritet të lartë dhe profesionist të rrallë.
“E kam njohur dhe kam punuar me të në ditë të vështira për rendin dhe sigurinë në Shkodër (2002–2007) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte, me plot kuptimin e fjalës, një familjar dhe qytetar model, një gjyqtar me integritet të lartë dhe shtetar i përgjegjshëm,” shkruan Manja në reagimin e tij.
Duke e dënuar ashpër ngjarjen, Manja kërkon ndëshkim shembullor për autorin dhe thekson domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë për punonjësit e sistemit të drejtësisë.
“Vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për sigurinë e të gjithë punonjësve të drejtësisë përballë dorës së krimit.”
Në fund të reagimit, Manja shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit Astrit Kalaja.
“U prehtë në paqe njeriu dhe gjyqtari që nderoi togën e zezë!”