Një masiv shkëmbor ka rrëshqitur sot në segmentin e rrugës së re kombëtare Qukës–Qafë Plloçë, në pjesën që kalon mbi Gështenjas, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Burime zyrtare bëjnë me dije se rrëshqitja ka bllokuar një prej tri korsive të këtij segmenti, ndërsa procesi i rrëshqitjes vijon ende për shkak të motit të keq që mbretëron në juglindje të vendit.

Ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e plotë të rrugës, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal. Aktualisht rruga nuk është e bllokuar plotësisht, por autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë zonë.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë u inaugurua vetëm pak javë më parë, duke përmirësuar lidhjen rrugore në këtë zonë, por reshjet e fundit kanë vënë në provë qëndrueshmërinë e saj.