Sot, në orën 10:00, do të mbahet seanca e radhës paraprake për dosjen e Erion Veliajt në GJKKO, ku pritet të vendoset për kalimin ose jo për gjykim. Seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve, në shenjë proteste për arrestimin e avokatit Ulian Bajramit në Elbasan.
Për dosjen Veliaj, përveç kryebashkiakut të Tiranës, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, janë marrë të pandehur janë edhe 28 persona dhe shoqëri, përfshirë ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka. Sipas dosjes hetimore të SPAK, Veliaj akuzohet se është përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Edhe Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Veliaj po zhvillon edhe një betejë ligjore me qeverinë pasi u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Por, pak ditë më pas Veliaj depozitoi ankimin në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij dhe bllokoi zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.
Pak ditë më parë, Apeli i GJKKO i rrëzoi kërkesën Veliajt për të shpallur si të pavlefshme hetimet paraprake të kryera nga SPAK.




















