Nga Ilir Yzeiri/

Shqipëria po hap grupkapitujt e fundit me Bashkimin Europian në mënyrë që të përshpejtojë plotësimin e dokumentit ligjor me këtë familje të madhe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për të qenë pjesë e saj të bëhet realitet.

Për këtë temë thuajse nuk flitet fare në shtypin shqiptar e në debate publike. Është e paimagjinueshme se si shqiptarët të cilët ankohen se kaluan diktaturën më të egër në Europë, që shpallin me të madhe se janë vendi më i lashtë i kontinentit, tani që mundësia për t’u integruar edhe formalisht në familjen e madhe europiane, po bëhet realitet, nuk flasin e nuk diskutojnë për temat e mëdha që kanë në tryezë dhe që janë përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Për fat të keq edhe këtë radhë ne po dëshmojmë më së shumti që jemi popull folklorik dhe që identitetin tonë kombëtar e shpallim vetëm si shenjë të luftërave butaforike. Kur vjen puna që të ballafaqohemi me Europën dhe me shpirtin e saj, nuk shqetësohemi shumë që të bëhemi europianë edhe me mënyrën e sjelljes, të respektimit të ligjit, të ndërtimit të jetës shoqërore sipas atij modeli që e ëndërrojmë.

Në takimin e fundit në Vienë, më 23 shtator, Kryeministri Rama, duke folur për grupkapitujt e fundit, deklaroi se Mjedisi është më sfiduesi dhe se për këtë kapitull kemi rënë dakord që të shtyhet pas anëtarësimit. Po pse ? Çfarë problemesh ka qeveria shqiptare me mjedisin ? Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në fillim të mandatiti të tij të parë, kryeministri Rama u tregua i vendosur që të impononte një qasje tjetër ndaj ruajtjes së mjedisit dhe habitatit të tij. Moratoriumi i gjuetisë ishte një nga këto masa. Ndërsa shmangia e katastrofave mbi lumin Vjosë ishte vërtetë një meritë e qeverisë së tij, por edhe e presionit të lartë qytetar nga brenda e jashtë. Mirëpo, fill pas kësaj, shoqatat e ruajtjes dhe mbrojtjes së peizazhit natyror vunë alarmin se qeveria po e prishte korntratën me natyrën.

Ndërtimi i aeroportiti të Vlorës në një zonë të mbrojtur ku ekosistemi është i tillë që nuk ta mundëson atë sepse shkatërrohet hapësira Karavasta -Nartë që është habitati apo shtëpia e Flamengove, pelikanëve dhe zogjve të tjerë migratorë, i detyroi këto shoqata që të ngrinin zërin, të protestonin dhe ta ndërkombëtarizonin këtë çështje. Po ashtu, ndërhyrja në Ligjin për zonat e mbrojtura në mënyrë që të hiqen nga ky inventar zona që mund të kthehen në ndërtime turistike, siç është planifikimi për resortin gjigand në zonën e Nartës dhe Sazanit, i dha një goditje tjetër vizionit që kishte shfaqur në fillim qeveria e zotit Rama për ruajtjen e mjedisit natyror.

Organizma të ndryshme ndërkombëtare e kishin paralajmëruar qeverinë shqiptare se kur të vijë puna për çeljen e grupkapitujve për mjedisin, qeveria nuk do ta kalonte lehtë provimin. Dhe ja dita erdhi. Siç e pohoi edhe vetë kryeministri Rama, mjedisi është më sfiduesi dhe këtë kapitull kemi rënë dakord që ta shqyrtojmë pas anëtarësimit. A do ta lejojë Komisioni Europian këtë? Të presim. Për të katërtin apo të pestin vit me radhë, në Tiranë mbahet Kongresi ndërkombëtar i nanoteknologjisë dhe nanoshkencës. Kjo inisiativë e prof. Arben Merkoçit, një prej shkencëtarëve të shquar botërorë në këtë fushë po bëhet realitet dhe ideja e tij që në Shqipëri të ngrihet Institutit Ndërkombëar Ballkanik i Nanoteknologjisë ishte një ide joshëse, por vetëm sa u deklarua dhe mbeti në heshtje.

Qeveria shqiptare dhe vetë Kryeministri Rama, para disa vjetësh morën pjesë vetë në dorëzimin e një godine në kompleksin universitar të Bujqësisë në Kamëz këtij projekti. Mirëpio kaluan tre vjet dhe megjithëse Arben Merkoçi vijonte të sillte në Shqipëri edhe nobelistë në takimin e përvitshëm të nanoteknologjisë, qeveria dukej se e kishte braktisur këtë nismë.

Sivjet, në çelje të këtij kongresi, ishte kryeministri Rama i cili foli jo vetëm për inteligjincien artificiale por edhe për nanteknologjinë dhe nanshkencën duke premtuar që ta shtyjë më tej ngritjen e një Instituti Ndërkombëtar të nantekonlogjisë në Tiranë. Ditë më parë në Tiranë u mbajt edhe sesioni i radhës i konferencës së një organizmi tjetër shkencor që ka në përbërje një nga shkencëtarët po ashtu të njohur në botë. Ai është Niko Qafokui që para disa vjetësh është shpallur si shkencëtari që bën pjesë në 3% të atyre që kanë ndikim në botë. Edhe ai ka marrë inisiativën që të sjellë një Laborator të madh shkencor në Tiranë në mënyrë që ky Laborator të bëhet një vatër tërheqëse për kërkuesit shkencorë në mënyrë që të ringjallet shpresa për dijen e shkencën. A do të ndodhë kjo ? Të presim.