Nga Ardi Stefa/
Kur kandidatët “e pavarur” të këtyre zgjedhjeve, ata që kanë ndërruar nja dhjetë parti si shamitë në jelekun e kostumit, dalin e hiqen më demokratë se demokratët dhe demokratët që nuk i mbështesin, i quajnë “pseudodemokratë” apo hiqen dhe më berishistë se vetë Berisha, bindesh se politika shqiptare nuk është më arenë idesh, alternativash e ballafaqimi vlerash, por spektakël pa moral dhe pazare të hapura.
Këta kandidatët e pavarur të pavarur nga kush janë? Nga partia? Ndoshta po, por jo nga zakoni për t’u shitur te kush u ofron më shumë.
Shumë prej tyre janë produkt i një tranzicioni që ka kthyer bindjen politike në instrument për mbijetesë personale e përfitim.
Sot flasin për “kauzë”, nesër do u duket vetja liderë e do bëjnë thirrje për “bashkim”, pasnesër për “ringritje” dhe në fund përfundojnë në ndonjë zyrë të pushtetit që dje “e shanin”.
Ironia është se vetë ata që i kanë ndërruar idealet si shamitë në jelekun e kostumit, pretendojnë t’u mësojnë të tjerëve ç’është “besnikëria ndaj kauzës”.
Këta nuk janë as zëri i qytetarit, as shpresa e opozitës. Janë rekrutë të rastit në luftën për pushtet, që veshin përditë uniformën e radhës: sot blu, nesër gri, pasnesër “e pavarur”, javës tjetër rozë.
Dhe kur dikush nuk u bashkohet në këtë lojë të ndyrë, e shpallin “armikun e demokracisë”, “tradhtarin e Berishës” apo “vegël të qeverisë”. Ironia është se pikërisht ata që i kanë shërbyer kujtdo akuzojnë ata demokratë me dy pare mend për mungesë besnikërie.
“Pseudodemokratë” nuk janë ata që refuzojnë të bëhen fasadë e lojës politike, por ata që e përdorin flamurin e demokracisë për t’u fshehur pas pazarit të radhës dhe mbështetin figurat qesharake si kandidatët e pamoralshëm.
Në këtë rrëmujë groteske, “pavarësia” e tyre është po aq e vërtetë sa “morali” i tyre.
Fatkeqësisht kur politika mbushet me figurina të tilla groteske, që s’kanë më as fytyrën, as bindjen, as moralin, vrasin shpresën dhe i shërbejnë tkurrjes së një partie që lindi si shpresë e ndryshimit, demokracia bëhet maskaradë.
Demokracia nuk ka nevojë për “më demokratë se demokratët”, as për “më berishistë se Berisha”, por për njerëz që dinë të mbeten vetvetja edhe kur pushteti nuk u buzëqesh.




















