Shkencëtari Fred Ramsdell ishte duke bërë detoks digjital në një fshat në SHBA kur u shtang nga e shoqja që bërtiti, shkruan The Guardian. Ai mendoi se ajo kishte parë një ari malesh, por shumë shpejt mësoi një surprizë më të bukur: ai kishte fituar çmimin Nobel në mjekësi.
Komiteti i Nobel nuk kishte mundur të kontaktonte me imunologun, i cili e kishte vendosur celularin në opsionin pa valë pasi kishte shkuar për kamping në mal, por më në fund mundi të lidhej me çiftin mëngjesin e së martës.
“Ata ishin ende në mal dhe atje ka shumë arinj, kështu që ai u shqetësua kur ajo bërtiti”, tha sekretari i përgjithshëm i komitetit, Thomas Perlmann. “Fatmirësisht, ishte çmimi Nobel. Ai ishte shumë i lumtur dhe i ngazëllyer dhe nuk e priste aspak çmimin.”
Perlmann tha se Ramsdell dhe e shoqja, Laura O’Neill kishin qenë duke u kthyer në hotel kur ndaluan të rregullonin diçka në makinë. Në atë moment, Laura ndezi celularin dhe pa dhjetëra mesazhe urimi.
Ramsdell tha për New York Times se ai “nuk e priste aspak të fitonte çmimin Nobel.” Çifti po udhëtonte prej tri javësh në vargmalet e Idaho, Wyoming dhe Montana. “As më shkoi nëpër mend”, tha ai.
Ramsdell e ndau çmimin prestigjioz me Mary Brunkow nga Instituti i Biologjisë së Sistemeve në Seattle dhe Shimon Sakaguchi nga Universiteti i Osakas në Japoni për zbulimin e tyre lidhur me funksionimin e sistemit imunitar. Ata do të marrin një çmim prej 11 milionë kronash suedeze.
Çmimi i kushtohet një zbulimi të rëndësishëm për qelizat T që janë kryesore në sistemin imunitar. Këto rruaza të bardha që prodhohen në palcën e kockës, shënjestrojnë mikrobet dhe vrasin qelizat e infektuara ose kancerogjene. Ato shpesh quhen “rojet e sigurisë”.
Perlmann tha se fillimisht kishte mundur të kontaktonte vetëm Sakaguchi, më pas Brunkow kurse Ramsdell ishte ende jashtë zonës së mbulimit.
Një zëdhënës nga laboratori i San Francisco ku punon Ramsdell tha më vonë se shkencëtari “po shijonte jetën” dhe ishte “jashtë rrjetit”.
Nuk është hera e parë që kontaktimi me fituesit e çmimit Nobel bëhet i vështirë. Bob Dylan e injoroi për ditë të tëra çmimin e tij në letërsi në vitin 2016, kurse kur u njoftua çmimi për mjekësinë në vitin 2011, u mësua se njëri nga fituesit kishte ndërruar jetë pak ditë përpara.
Në vitin 2020, komiteti hasi vështirësi të ngjashme me fituesit e çmimit të ekonomisë. Kur ata telefonuan Bob Wilson në Stanford në mes të natës, ai e fiku dhe ata kontaktuan të shoqen. Më pas nuk po lidheshin dot me Paul Milgrom, kështu që Wilson shkoi ta zgjonte. Kamera e sigurisë ka filmuar momentin kur ky i fundit mësoi që kishte fituar çmimin duke thënë: “E fitova? Uau.”