Napoli, 17 Tetor 2025 – Në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Dialogun Mesdhetar MED2025, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi një vizitë gjithashtu pranë Katedrës së Shqipes – pjesë e Universitetit l’Orientale të Napolit – e cila është themeluar nga rilindasi Jeronim De Rada dhe është një nga vatrat ku u farkëtua mendimi politik dhe ndërgjegjja e Rilindjes sonë Kombëtare.

“Me krenari e vizitova sot Katedrën e Shqipes pranë Universitetit l’Orientale të Napolit – e themeluar nga Jeronim De Rada dhe është një nga vatrat ku u farkëtua mendimi politik dhe ndërgjegjja e Rilindjes sonë Kombëtare.

U mikpritëm nga Rektori Roberto Tottoli dhe zhvilluam një bashkëbisedim të hapur me akademikë dhe studentë e bashkëpunëtorë të gjuhësisë.” – shprehet Ministrja Spiropali.

Në këtë katedër prestigjioze aktualisht studiojnë shqip dhe albanologji të rinj italianë, shqiptarë të gjeneratës së dytë dhe arbëreshë.

Përgjatë bashkëbisedimit, Spiropali konfirmoi mbështetjen e institucioneve shqiptare për forcimin dhe thellimin e lidhjeve akademike, shkencore, kulturore e sociale mes dy vendeve tona.

Kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm shqiptar pranë kësaj katedre – e para në llojin e vet në botë për Gjuhën, Letërsinë dhe Filologjinë shqipe – si dhe nismëtare e shkencës se albanologjisë.

Jeronim De Rada e themeloi atë me bindjen dhe me ndërgjegjen politike të “Rilindjes” së identitetit të vet etno-gjuhësor (si arberësh), si dhe në kornizën Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Katedra e Napolit ishte qendra e parë që më pas solli dhe ndihmoi të krijohen katedrat e tjera të mësimit dhe studimit të gjuhës shqipe në Itali a në vende të tjera, sepse kontribuoi shumë edhe në formimin shkencor të një numri të ndjeshëm studiuesish, kryesisht arbëreshë, që njëri pas tjetrit kanë marrë në dorë drejtimin e katedrave në të gjithë territorin italian, duke siguruar edhe vijimësinë operative, qoftë në rrafshin e mësimdhënies së shqipes, ashtu edhe në rrafshin e kërkimit shkencor në lëmin e albanologjisë.