Qeveria ka prezantuar reformën për modernizimin e Shërbimit Kombëtar Zjarrfikës, me synim rritjen e kapaciteteve përballuese ndaj emergjencave kombëtare dhe zjarreve masive. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se programi qeverisës i mandatit aktual do të përqendrohet te krijimi i një Komande të Qendërzuar, ngritja e një Qendre Kombëtare Trajnimi për Zjarrfikësit dhe standardizimi i procedurave të rekrutimit për punonjësit e shërbimit.
Në dhjetë vitet e fundit, numri i punonjësve zjarrfikës është rritur nga 739 në mbi 1,400, ndërsa flota e mjeteve është zgjeruar nga 100 në 185 automjete, një pjesë e të cilave ndër më modernet. Ministrja theksoi se shërbimi është përmirësuar ndjeshëm në nivel lokal, por ka ende nevojë për një organizim të ri sipas modeleve më të mira ndërkombëtare dhe rishikim të kuadrit ligjor.
Ajo vuri në dukje se aktualisht shërbimi zjarrfikës është i fragmentarizuar dhe me mbivendosje rolesh mes institucioneve, çka e vështirëson reagimin e unifikuar. Përveç kësaj, koordinimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar me Qendrën Evropiane të Koordinimit të Emergjencave kërkon një strukturë të vetme vendimmarrëse.
Modeli i ri parashikon krijimin e një komande të vetme, e cila do të koordinojë të gjitha aksionet si një trup i vetëm, do të perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërkombëtar, do të maksimizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe do të garantojë mbulim më efektiv në të gjithë territorin.
Reforma vendos në qendër zjarrfikësit, përmes standardizimit të rekrutimit dhe ngritjes së një Qendre Kombëtare Trajnimi, ku efektivët do të pajisen me kualifikime sipas standardeve evropiane dhe do t’i nënshtrohen trajnimeve periodike. Në plan parashikohen gjithashtu skema motivuese me përfitime financiare dhe mundësi karriere.
Një tjetër shtyllë e reformës do të jenë fushatat e edukimit publik për sigurinë nga zjarri, që do të nisin nga shkollat dhe do të shtrihen në të gjitha komunitetet. Paralelisht, përdorimi i teknologjisë dhe inovacionit do të mundësojë raportim në kohë reale për çdo situatë emergjente.