Nga Preç Zogaj

Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj, ka shpallur kandidaturën si i pavarur për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë. Kjo lëvizje ka marrë mbështetjen e opozitës, e cila nuk ka prezantuar një kandidat të vetin. Por analisti politik Preç Zogaj e cilësoi kandidimin e Binajt si pjesë të një skeme të qartë politike. Në studion e emisionit “Trialog” Zogaj tha etiketimi si “i pavarur” nuk qëndron, pasi Binaj është shpallur dhe mbështetur nga forca politike opozitare.

“Nuk ka sens të lozet me fjalën ‘i pavarur’. I pavarur do të thotë që dikush krijon një lëvizje qytetare pa parti politike. Këtu kemi të bëjmë për një skemë politike. Është një skemë që dikush e ka krijuar dhe secili e ka gjetur të përshtatshme. Nuk ka më hapësirë për t’u fshehur pas gishtit. Ai është një kandidat super politik i shumë partive sepse ai është shpallur nga parti politike. Ai është kandidat i opozitës së bashkuar, që është bashkuar rreth tij”, u shpreh Zogaj.

Ai theksoi se një kandidaturë e tillë ka potencial për të sfiduar seriozisht kandidaten e Partisë Socialiste, por paralajmëroi se vazhdimi i etiketimit si “i pavarur” mund të dëmtojë perceptimin publik dhe rezultatin elektoral.

“Nëse nuk do të dini ta lozni mirë këtë skemën e të pavarura, që s’ka si të jetë i pavarur, do mendojnë njerëzit sikur ‘ja keni lënë në derë’ dhe do jetë negative edhe për vetë rezultatin elektoral. Do ju perceptojnë sikur fshiheni të gjithë pas gishtit, nuk gjeti një kandidat PD dhe tani kemi të pavarurin dhe nëse fiton e ndajmë suksesin, nëse jo askush nuk do thotë humba. Duhet lënë mënjanë kjo loja me të ‘pavarurin’ ai është kandidat i opozitës. Më shumë mobilizon kandidati politik,” shtoi Zogaj.