HYQMET ZANE/ Historia na mëson se faktet janë kokëforte në kohë dhe në hapësirë. E vërteta as nuk mund të harrohet, as nuk mund të ndryshohet dhe kur vjen fjala tek e kaluara historike, ajo duhet të njihet mirë për të ndërtuar të ardhmen pa gabimet e së shkuarës. Kujtesa më çon në thellësitë e dekadave për histori që na bëjnë sa krenarë, po aq sa edhe na trishtojnë. E quaj krenari kur kujtohen ngjarje historike që i bëjnë nder kombit, por trishtohem kur kujtohen ngjarje që nuk i kanë sjellë ndonjë vlerë këtij kombi.
Për koincidencën tonë muaji shtator mbahet mend për tri momente të rëndësishme siç njihen Kongresi i Elbasanit, vendimi i ish-ministrit të Arsimit Ernest Koliqi dhe Konferenca e Pezës. Rikthimi i herëpashershëm te Konferenca e Pezës, tashmë është bërë një model i një ndjesie në rikthimin e një padrejtësie që u bëhet shqiptarëve në emër të një ngjarjeje që hyri në histori, por jo si vlerë, por si tradhti që Partia Komuniste e kohës i bëri popullit shqiptar. Po ashtu, debatet që bëhen për nxjerrjen në skenë herë pas here e portreteve të Enver Hoxhës, ka kompromentuar jo thjesht sinqeritetin e atyre që flasin ndryshe dhe veprojnë ndryshe, por edhe qeverisjen e sotme dhe vetë pasuesit ideologjike të filozofisë marksiste që ekziston si reminishencë e së shkuarës.
Shpesh me dashje anashkalohet fakti që ajo konferencë pati si të veçantë dhe pozitive vetëm parullën “Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje” se në këtë vend asnjëra prej pikave të kësaj konference nuk u zbatua, ndërkohë që pjesëmarrës deri edhe kryetari i kësaj konference Ndoc Çoba që u eliminuan nga PKSH më 1945. Arsyeja që kjo Konferencë kujtohej dhe kujtohet me shumë zhurmë ka në brendësi nostalgjinë e njerëzve organizatorë për sistemin diktatorial, aq më tepër kur shfaqen dukshëm portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe simboli stalinist drapër e çekan.
DËSHMITARËT OKULARË
Ka njerëz dëshmitarë okularë të kohës që kanë shprehur zhgënjimin e tyre për Konferencën e Pezës dhe njëra prej tyre ka qenë Xhemile Gjinishi në Peqin, motra e të mirënjohurit Mustafa Gjinishi, e cila është shprehur në një intervistë që unë i kam marrë asaj në Peqin para se të ndërronte jetë më 31 dhjetor 2006, kur më ka thënë se – “vrasja e Mustafait nisi që në Konferencën e Pezës, të cilën ai e quajti tradhti, sepse veprimet që u bënë pas asaj konference ishin kundër interesave të shqiptarëve. Këtë Mustafai ia kish thënë edhe Myslim Pezës, që e kishte mik për kokë dhe nuk ia merrte mendja kurrë që edhe babë Myslymin, siç e thërrisnin aso kohe, do ta bënte për vete Enver Hoxha, se donte të fshihte pabesitë e veta. Unë e them gjithmonë se vëllanë tem e vrau Enver Hoxha dhe Myslim Peza, kur mori vesh se e kanë vra Mustafa Gjinishin, tha, se ‘për Mustafën gjaku do të shkojë deri në shalë të kalit’, por sa vajti në Tiranë, edhe Myslymi heshti dhe u bë palë me komunistët vrasës. Ma kanë thanë se sapo Mustafai hyri në një mbledhje të përbashkët me jugosllavët, tha se ‘këtu ka mbet me fol vetëm serbisht’, se aq i fortë ishte ai nga prania e jugosllavëve në vendin tonë dhe brenda PKSH. Kjo është e vërteta. S’ka kush t’ma ndërrojë mendjen mua për këtë gjë”.
Në çdo fillim viti të ri shkollor pas 84 vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej me shumë arsye bindëse një personalitet mbarëkombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941 kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë të Elbasanit dhe të shkollës amerikane të Fulsit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në shpërthimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare.
Frëtet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare. Pyetja që lind është se përse nuk kujtohet me madhështi një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Pezës që bëri të kundërtën e asaj që bënë 400 normalistët shqiptarë? Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ishministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.
TË SFIDOSH KOHËN
Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithçka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 84 vjet më parë, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbogrekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit, tashmë 116-vjeçare, më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane.
Vërtet ishte luftë, por ministri i Arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat e Paramithi, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit. Ernest Koliqi ishte ministri i Arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 84 vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash për të kundërmuar si lahuta e malësisë që mbushi vendin me burrni. Kur mendon dhe shikon se si pas 83 vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptare, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti-shqiptarizmit.
Ad
Këto janë prirjet e reja në dizajnin e kuzhinës për vitin 2025 (Kliko këtu për të parë)
Rimodelim Kuzhine | Kërko reklama
Shtëpi modulare në shitje – shiko tani opsionet e përballueshme
Shtëpi modulare | Reklama kërkimi
KONGRESI I ELBASANIT
Në këtë shtator 116 vjet më parë u mbajt edhe Kongresi i Elbasanit që i dha shqiptarëve njohjen e gjuhës, hapjen e shkollës Normale dhe Universitetit të Parë Shqiptar. Ende ekziston ajo godinë e madhe që përcaktoi themelet e arsimimit tonë mbarëkombëtar sepse Normalja ishte laboratori i madh i përgatitjes së mësuesve që vulosën me punën e tyre shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe më tej akoma të shkencave që do të bënin që ajo Normale të konsiderohej si lindja e Universitetit të parë në mbarë trojet shqiptare. Pikërisht për këto dy ngjarje të mëdha me spikatje të konsiderueshme në historinë tonë mbarëkombëtare, kurrë nuk flet dot kryeministri, ministri i Arsimit, as akademikët apo të tjerë institucione që kanë aq shumë nevojë që të identifikohen për rrjedhojat që patën ngjarje të tilla si Kongresi i Elbasanit, krijimi i Normales etj.. Një ditë para disa vjetësh, një ministre Arsimi e Shqipërisë shkoi në Gjakovë për të prezantonte Abetaren e unifikuar mes dy shteteve.
Por kjo ministre nuk e dinte se Mehmet Gjevori, një elbasanas i nderuar normalist kishte shkuar më 1941 dhe mbeti atje. Është pikërisht ky burrë i nderuar që bëri Abetaren e parë në Kosovë dhe u bë kryetari i veteranëve të arsimit të Kosovës derisa ndërroi jetë. Edhe shkollën e parë shqipe në Gjakovë e kishin hapur dy elbasanas, një grua dhe një burrë, që gjithashtu e formuan familjen e tyre në Kosovë. Këto janë fakte historike të detyrueshme për t’u njohur jo vetëm nga një ministre, por edhe nga historiografia shqiptare dhe më shumë akoma nga Kryeministri i Shqipërisë që kam bindjen e plotë që nuk e ka idenë e kësaj pune.