Kampionët në fuqi të NBA-së, Oklahoma City Thunder, vazhdojnë formën e shkëlqyer edhe në këtë fillim sezoni. Skuadra nga Oklahoma regjistroi fitoren e gjashtë radhazi (ende pa asnjë humbje), pasi mposhti me rezultatin 127-108 ekipin e Washington Wizards. Edhe kësaj here, ylli i Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, ishte i papërmbajtshëm me 31 pikë, duke udhëhequr ekipin drejt një tjetër suksesi bindës.
Në krahun tjetër, San Antonio Spurs vazhdon të jetë surpriza më e madhe e sezonit. Ekipi i trajnerit Mitch Johnson mbetet po ashtu i pamposhtur, pas fitores 107-101 ndaj Miami Heat, në një përballje plot rivalitet. Superylli Victor Wembanyama shkëlqeu sërish me një paraqitje mbresëlënëse me 27 pikë dhe 18 rebound, duke konfirmuar se është gati të udhëheqë Spurs.
Një përballje tjetër e fortë u zhvillua në Milwaukee, ku Bucks fituan 120-110 ndaj Golden State Warriors, në një ndeshje mes dy pretendentëve për titull. Tetë lojtarë të vendasve arritën shifrën dyshifrore të pikëve, ndërsa Ryan Rollins ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 32 pikë. Për miqtë Stephen Curry u ndal në 27 pikë.
 
			
