Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar për vdekjen e themeluesit të PS-së, Fatos Nano, i cili ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 73-vjeçare.
Balla shkruan se Nano do të kujtohet gjithmonë për kontributin 14-vjeçar në Partinë Socialiste, i cili ka lënë pas rrënjë të forta dhe kulturë politike.
“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.
 
			
