Qeveria ka miratuar një vendim për kompensimin e pronarëve dhe që sjell gjithashtu përfitime të reja për qytetarët me objekte të legalizuara. Në total është një fond rreth 1.2 miliardë lekë në dispozicion për kompensimin financiar në zbatim të ligjit 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Vendimi është pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të vendosur qytetarin në qendër të reformës së pronësisë, duke i dhënë fund pasigurive të krijuara ndër vite për mijëra familje.

Konkretisht 435 qytetarë, të cilët janë pajisur më parë me vendim legalizimi për objektet e tyre, tani fitojnë të drejtën për të blerë parcelën ndërtimore sipas kuadrit ligjor në fuqi, duke siguruar kështu pronësinë e plotë dhe të ligjshme mbi banesën dhe truallin ku ajo ngrihet.

Nga ana tjetër, 515 pasuri që preken nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht, duke u ofruar pronarëve një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë. Në total, mbi 112 000 m² pasuri të paluajtshme përfshihen në këtë proces kompensimi.

Më konkretisht nga zbatimi i këtij vendimi, qytetarët që kanë ndërtuar shtëpinë e tyre dhe janë pajisur me vendim legalizimi, marrin tashmë mundësinë për të zotëruar plotësisht pronën, pa pasiguri ligjore.

Pronarët e pasurive që preken nga ndërtimet pa leje përfitojnë kompensim të drejtë financiar, duke u dhënë fund konflikteve të zgjatura për pronësinë.

Ky vendim përbën një tjetër hap konkret në drejtim të normalizimit përfundimtar të marrëdhënies së qytetarit me pronën, duke e kthyer procesin e legalizimeve dhe kompensimeve në një mekanizëm real të drejtësisë sociale.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon të zbatojë me përkushtim politikat shtetërore për përmbylljen e proceseve kalimtare të pronësisë, me qëllim që çdo qytetar shqiptar të ketë një pronë të sigurt, të regjistruar dhe të mbrojtur ligjërisht.