Ndryshimet kushtetuese të propozuara kanë ngritur shqetësime në lidhje me mundësinë që ato të prekin strukturën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, gjatë intervistës në emisionin “Trialog” në RTSH, ka theksuar se aktualisht Shqipëria ka një deficit në ndërtimin e një sistemi të duhur të “checks and balances”, që siguron kontrollin e ndërsjellë të institucioneve dhe ndihmon në parandalimin e abuzimeve me pushtetin.

Ndreca theksoi se, përsa i përket SPAK-ut, ky i fundit ka një rregullim të veçantë që nuk lidhet me ndërveprimin ndërmjet pushteteve dhe se marrëdhënien e ka vetëm me KLP.

“SPAK ka një rregullim që nuk lidhet fare me ndërveprimin mes pushteteve ai zgjidhjet nga KLP dhe e ka marrëdhënien me të. Nëse ndërhyhet te KLP atëherë për rrjedhojë preket dhe SPAK. Nuk shoh asnjë arsye pse duhet të ndërhyhet tek pjesa e drejtësisë. Ne na mungon një institucion “check and balance”. Kjo nuk ndodh dhe ka krijuar një situatë ku një pjesë e pushtetit gjyqësor e ndjen veten të pakontrolluar. Nuk shoh ndërhyrje strukture, por shoh ndërhyrje tek drejtuesit e institucioneve dhe “check-u” që i bëhet këtyre drejtuesve. Parlamenti ka vetëm një instrument që merret me drejtësinë dhe nuk mund të merret me drejtuesin e SPAK. Merret vetëm me një instrument që është ILD, institucion i pavarur që merret për llogari të parlamentit dhe të raportoje se si po shkon institucioni i drejtësisë”, tha Ndreca.

Ai gjithashtu nënvizoi se çdo ndryshim kushtetues që ka të bëjë me drejtësinë duhet të kalojë përmes një “check-u” nga partnerët ndërkombëtarë, sidomos nga Bashkimi Evropian, për shkak të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Asnjë ndryshim kushtueses nuk ka për të kaluar pa u “check-uar” nga evropianët pasi ne jemi në proces anëtarësimi. Po merren sisteme që janë modele në Evropë”, tha Ndreca.