Nga Ardi Stefa/
Se diku, në një cep të botës apo të historisë, një njeri rritet me “yllin” e lidershipit në ballë derisa historia i hap derën dhe ai hyn me natyrshmërinë e të paracaktuarit nga fati.
Në fakt nuk funksionon kështu. Liderët nuk lindin, ata ngjizen e krijohen nga krizat, përplasjet, debati, revolta e shoqërisë, nevoja e shoqërisë për t’u udhëhequr realisht dhe nga mungesa e alternativave të tjera. Situatat e caktuara politike formësojnë karakteret, derisa në skenën politike shfaqet një figurë që guxon të marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë e lidershipit.
Në shoqëritë e demokracitë normale, liderët nuk janë të “nevojshëm”. Kur gjithçka shkon normalisht, institucionet funksionojnë dhe njerëzit janë të zënë me jetën e përditshme, politika nuk është udhëheqje dhe qëllim në vetvete, madje as trampolinë pasurimi. Ndërsa kur rregullat prishen, sistemi tronditet dhe besimi në drejtësi, ekonomi apo shtet shembet, atëherë lind nevoja për një figurë që të marrë përgjegjësi. Pikërisht aty, mes kaosit e pasigurisë, historia teston karakteret.
Historia ka shembuj të qartë se si çasti i duhur, përgjegjshmëria dhe marrja e përgjegjësive krijojnë liderin e duhur. Churchill do të kishte mbetur një politikan mesatar pa Luftën e Dytë Botërore. Ai u kthye në lider ngaqë Londra digjej dhe duhej dikush që të mos dorëzohej. Mandela mund të kishte ngelur një aktivist i harruar pa Apartejdin. Ai u shndërrua në lider, se një komb i tërë kishte humbur dinjitetin.
Edhe në demokracitë e konsoliduara, lideri del përballë sfidave që shkundin ndërgjegjen e shoqërisë dhe provohet në kriza.
Shqipëria, më shumë se sa lidera ka pasur politikanë që e kërkojnë pushtetin për ta përdorur.