Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pritet të jetë nesër në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin me vendim të qeverisë. Në ankimin e tij, Veliaj thotë se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës (i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).
Por, ku do të fokusohet mbrojtja e kryebashkiakut Veliaj? Report Tv ka mësuar se ekipi ligjor i kryebashkiakut Veliaj do të paraqesë në Kushtetuese një raport të Komisionit të Venecias të tetorit 2025 për “ndikimin e ndalimit paraprak të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes demokratike vendore në Turqi”. Ky hulumtim i Komisionit të Venecias mbi kushtet që mund të çojnë në pezullimin e përkohshëm ose shkarkimin e përhershëm të një kryetari bashkie kur ngrehen akuza kundër tij, si dhe në lidhje me zëvendësimin e tij të mëvonshëm, do të përdoret nga mbrojtja e Veliajt dhe do te fokusohet në disa pika 33, 34, 39, 57, 60, 61, 64, 68, 72, 73.
Në raportin e Komisionit të Venecias evidentohet se “Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.”
Ndikimi i paraburgimit të kryetarëve të bashkive është i dyfishtë: ai mund të ndikojë jo vetëm mbi të drejtat individuale të kryetarit të prekur, por gjithashtu shtrihet përtej individit dhe ndikon mbi të drejtat e zgjedhësve, zgjedhja e të cilëve, e shprehur në mënyrë demokratike përmes votës, mund të dëmtohet përmes emërimit të një kryetari bashkie që nuk përputhet me vullnetin e tyre zgjedhor.
“Në mënyrë të drejtpërdrejtë, paraburgimi mund të pengojë ndërveprimin publik dhe shprehjen e ideve, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë. Në mënyrë të tërthortë, ai dekurajon aktorët publikë dhe qytetarët nga pjesëmarrja në mbledhje politike apo protesta, për shkak të frikës nga ndëshkimi përshkak të shoqërimit ose të hakmarrjes politike”, thuhet në raport.
Sipas raportit, demokracia vendore mbështetet mbi “integritetin e mandatit zgjedhor, përgjegjshmërinë ndaj zgjedhësve dhe vazhdimësinë e administrimit” dhe çdo ndërhyrje e qeverisë qendrore në këtë proces “përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtyre parimeve.”
Komisioni nënvizon se pezullimi apo shkarkimi i një të zgjedhuri vendor duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme, e përcaktuar qartë në ligj dhe e justifikuar vetëm në raste të rënda, duke shtuar se “garancitë procedurale, përfshirë kontrollin gjyqësor, duhet të jenë të parashikuara qartë me ligj, për të shmangur çdo formë politizimi apo arbitrariteti ekzekutiv.”
Në një tjetër pasazh kyç, Komisioni thekson se:
“Paraburgimi dhe pezullimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive cenojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor, duke shndërruar një masë procedurale parandaluese në kufizim ndaj debatit demokratik.” “Kur zbatohet ndaj kryetarëve të bashkive, paraburgimi paraprak prodhon efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi liritë e mbrojtura… duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë.”
Një nga qëndrimet më të forta të raportit lidhet me mekanizmin e zëvendësimit të kryetarëve nga qeveria:
“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore… dhe bie ndeshme ndarjen vertikale të pushteteve.”
“Komisioni i Venecias ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme praktikën e zëvendësimit të kryetarëve të bashkive nga qeveriaqendrore, duke vlerësuar se kjo përbën një shkelje të nenit 3(1) të Kartës.”
Sipas Komisionit, çdo vendim për pezullim duhet të kalojë testin e proporcionalitetit, të jetë i bazuar në ligj dhe të merret “nga gjyqësori, për të shmangur ndikimet politike”. Ai thekson se shkarkimi i një përfaqësuesi të zgjedhur është “një masë e jashtëzakonshme që duhet të zbatohet vetëm në raste të shkeljeve të rënda”, me garanci të plota procedurale dhe me ndërhyrje të detyrueshme të gjykatës.
Në fund, raporti i Komisionit të Venecias arrin në përfundimin se: “Demokracia vendore mund të mbijetojë vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre dhe vullneti i zgjedhësve respektohet plotësisht. Çdo ndërhyrje që zëvendëson zgjedhjen me emërim administrativ bie ndesh me frymën dhe germën e Kartës Evropiane.”/Shqiptarja




















