Brunilda Mersini, e cila aktualisht është deputete e Partisë Socialiste, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas përzgjedhjes së saj për të qenë kandidate për kryebashkiake të Vlorës.
“Të kandidoja për të përfaqësuar qytetin tim si deputete ishte një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Ishte një thirrje për t’i shërbyer komunitetit me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri.
Me mirënjohje dhe me ndjesinë e thellë të përgjegjësisë, sot më besohet kandidatura për Kryetare të Bashkisë së Vlorës.
Ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë qytetit tonë.
Çdo takim me ju, që më besuat në kandidaturën si deputete, çdo bisedë në rrugët e Vlorës, çdo dorë e shtrirë me mirësi, më ka dhënë forcën për të ecur përpara. Keni qenë pranë meje në çdo hap, me besim, me kurajo dhe me atë ndjenjë të thellë përkatësie që vetëm vlonjatët dinë ta japin.
Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është më shumë se detyrë, është mision shpirtëror. Dhe sot, ky mision merr një përgjegjësi të re: të punoj, me gjithë energjinë, përkushtimin dhe dashurinë time, për të patur një Vlorë që i ngjan njerëzve të saj të ndershëm, punëtorë, krenarë dhe plot dritë.
Faleminderit Kryeministrit Edi Rama për besimin e treguar
Faleminderit drejtuesit politik, Bledi Çuçit për besimin dhe vlerësimin!
Faleminderit strukturave të Partisë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme, dhe mbi të gjitha, juve, qytetarëve të Vlorës, që më keni dhënë arsye çdo ditë për të besuar më shumë te forca e bashkimit dhe e dashurisë për qytetin tonë.
Ju premtoj se do të jem gjithmonë pranë jush, duke dëgjuar, duke punuar, dhe duke e vënë zemrën në çdo gjë, që të gjithë bashkë do të bëjmë.
Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, është një rrugëtim zemre për Vlorën.
Me mirënjohje dhe vendosmëri të palëkundur!
Së bashku për Vlorën tonë, qytetin që jeton në çdo zemër vlonjate”,- shprehet Brunilda.