Sot në orën 16:15 në Spanjë do të luhet një pjesë e mirë e sezonit pasi Reali i Madridit ndeshet në ‘Bernabeu’ kundër Barcelonës, për një El Clasico që pritet nga të gjithë. Kjo ndeshje i është besuar për t’u gjykuar një arbitri me eksperiencë siç është Cesar Soto Grado.
45-vjeçari nga Candeleda numëron deri më tani 127 takime në La Liga. Në këto takime ai ka nxjerrë kartonin e verdhë plot 638 herë ndërsa të kuqin 17 herë. Në këto takime Soto Grado ka akorduar 43 penallti. Kryesori në fjalë njihet për kompetencën e treguar në fushë pasi promovimin në La Liga e fitoi vetëm pas një sezoni të kaluar në Secunda Division në 2019-ën.
Ai ka gjykuar plot 22 herë Realin e Madridit. Në këto takime klubi kryeqytetas numëron 14 fitore, 6 barazime dhe 2 humbje. Ndërsa Barcelonën e ka gjykuar në 14 takime prej të cilave ekipi katalanas ka fituar 6, barazuar 3 dhe humbur 5.
Cesar Soto Grado ka mjaft eksperiencë në takimet, të cilat nuk luhen vetëm në fushë ku rivaliteti shkon përtej futbollit. Ai ishte i përzgjedhur nga Federata Egjiptiane e Futbollit për të drejtuar një ndeshje mes Al Ahly dhe Zamalek, takim ky që konsiderohet si një “Klasike” e vërtetë për shtetin afrikan.




















