Opozita shqiptare ka gjetur më në fund temën që do t’i japë oksigjen në këtë krizë idesh: syrin e Belinda Ballukut. E gjithë energjia e kësaj jave nuk po harxhohet për reformën zgjedhore apo atë territoriale, as për buxhetin e vitit të ardhshëm, por… syrin e një ministreje.

Sipas logjikës opozitare, historia politike e Shqipërisë duket se matet me sy të nxirë. Pavarësisht se rasti i Ballukut duke ashiqare se kemi të bëjmë me një fantazi të shfrenuar nga SHQUP-i. Por në fakt ka një lidhje reale PD-ja më sytë e nxirë. Dikur në Tiranë qarkullonin gazetarë me sy të nxirë nga dhuna e regjimit të Berishës 1992-1997. Në 21 janar 2021, Berisha doli me Ndrea Prendin, të cilit ia nxiu syrin pikërisht badigardi i ish-kryeministrit pas një sherri ditën e ngjarjes së rëndë në bulevard. Disa vite më vonë, një qytetar i nxiu syrin vetë Berishës po në boulevard, fizikisht. Tani, meqë historia e përsërit vetveten, duket se duhej me çdo kusht të vinte radha e një socialisti. Halli është që edhe Belinda ka në shtëpi pasqyrë si Saliu edhe mund të mbante syze dielli si ky i fundit, po të mos bëhej fjalë për montazh.

Por e vetmja gjë realisht e nxirë në këtë histori është “Syri”. Jo ai i Ballukut, por ai i Shkëlzen Berishës – portali që sheh gjithçka në të zezë, e nëse nuk është e zezë, e ngjyros vetë. Nga mëngjesi deri në darkë, çdo lajm kalon përmes filtrit “errësues”: një rrugë që ndërtohet është “skandal”, një avion që niset është “vjedhje”, një ministër që buzëqesh treon “shenjë paniku”…

Nëse Balluku do të kishte një sy të nxirë, PD-ja do ta kthente në provë të “rënies së regjimit”. Nëse s’e ka, do thonë se “e ka fshehur me fondet e Rrugës së Arbrit” apo “Tunelit të Llogarasë”. Opozita tashmë s’është në kërkim të fakteve, por të fiksimeve. Kjo është PD-ja e sotme: një trupë e verbër politike, që shpreson se do të fitojë duke nxjerrë syrin e tjetrit. Ironikisht, ajo vetë ka mbetur me njërin sy të mbyllur nga nostalgjia për Berishën, dhe tjetrin të turbullt nga portalet e djalit të tij.

Në fund të ditës, Belinda Balluku nuk ka asnjë njollë në fytyrë, por opozita ka disa njolla të mëdha në ndërgjegje. Dhe ato s’ka syze e media që i mbulon.