Nga Adrian Thano
Janusz Bugajski është nga ato raste që të kujtojnë se ndonjëherë Shqipëria ka më shumë miq jashtë, sesa brenda saj.
Edhe pse jetonte larg, ai u dha interesave shqiptare vëmendjen që shpesh mungon në Perëndim. Me pasionin e një miku, u bë në tri dekadat e fundit një mbrojtës i zëshëm i këtyre interesave në rajon. Nuk kishte nevojë të përfitonte prej Shqipërisë tej e këtej kufijve, thjesht besonte në të. Si i tillë ishte më i dobishëm se “patriotizmi” i atyre që e përdorin këtë vend si flamur interesash vocake.
Ndihem mirë që në vitet e fundit të jetës ai gjeti hapësirë edhe në DITA për të ndarë mendimet e tij. E bënte jo për protagonizëm (kishte boll tribuna të tjera më të mëdha) por nga bindja se Shqipëria meriton më shumë dinjitet.
Fjalët e tij do të mbeten, e bashkë me to, edhe miqësia për shqiptarët.
Humbja e Bugajski-t personalisht më rikthen te mungesat e tjera që kjo gazetë ka përjetuar gjatë këtyre viteve. Miq dhe bashkëpunëtorë të çmuar, që me penën dhe mendimin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme: Arben Duka me vargun therës, Shaban Murati me mendimin diplomatik, Andrea Stefani me kurajën publike, Nasho Jorgaqi me elegancën e fjalës dhe kujtesën historike, Moikom Zeqo me mendjen enciklopedike.
Jeta është një udhë pa kthim, ku të gjithë ecim me hapa që zbehen me kohën. Jemi udhëtarë të përkohshëm në një stacion të përbashkët, ku disa ndalen më herët, të tjerët më vonë. Askush nuk mbërrin në fund me gjithëçfarë deshi të bënte apo të donte. Ndaj është mirë të jetohet me kujdesin për fjalën dhe njerëzoren. Ne sot shkruajmë, ata nesër lexojnë. Pastaj vendet ndërrohen.
Çdo jetë që ka prekur një tjetër, nuk është shuar kurrë. Jo vetëm në media.