Nga Mero Baze/

Zgjedhjet e pjesëshme në gjashtë bashki, zënë afërsisht dyzet për qind të elektoratit të Shqipërisë. Për një opozitë që qysh ditën e parë pas zgjedhjeve të majit thotë se do qeveri teknike dhe zgjedhje të reja, zgjedhjet e ofruara brenda vitit janë një shans për të provuar se opozita është gati për një betejë të re.

Ajo që bie në sy në të gjashtat bashkitë është se duket sikur kandidatët i ka caktuar Partia Socialiste dhe për PD.
Kandidatët janë kryesisht njerëz të thirrur për “kurban”, me qëllim që të mos dëmtohet imazhi i PD. Në Tiranë, Berisha emëron një të punësuar të djalit, në Berat një kandidat që më 2019 theu bojkotin dhe kandidoi për Bindjen Demokratike, e cila mezi u gëzua që gjeti dikë që kandidonte. Në Vlorë kanë gjetur një kandidat që është më afër me PS se sa me PD. Në Cërrik dhe në Tepelenë, vetë PD është njoftuar se kush ka kandiduar në emër të tyre.

Dhe nuk është puna se PD u kap e papërgatitur për këto zgjedhje. Për tre bashki e ka ditur qysh para 11 majit, pasi kandiduan për deputetë. Për Tiranën e ka ditur qysh në shkurt që është pa kryetar. Vetëm Vlora dhe Cërriku u shtuan rrugës.

Fakti që PD nuk arriti të kandidojë dot asnjë figurë të PD në këto gjashtë bashki, tregon se ajo nuk është gati më si parti të konkurojë. Më 11 maj, ajo parti ka përmbushur interesat e saj kryesore, që ka qenë rikthimi i kontrollit të familjes Berisha mbi partinë, duke rehatuar gjithë aktorët brenda saj, dhe tani është përgatitur për një gjumë të gjatë katërvjeçar, me shpresë se PS do rrëzohet vetë dhe ata do vijnë në pushtet.

Mungesa e kandidatëve të PD në këto zgjedhje, nuk është thjesht çështje e burimeve njerëzore, dhe as mungesë besimi e PD në zgjedhje, siç paraqitet rëndom.
Është e vërtetë që figurat politike të PD nuk duan të kandidojnë, por jo thjesht se do humbasin. PD ka konkuruar dhe më 1997, 1998 apo 2000, kur e dinte që do humbiste. Por nuk ka nguruar askush, pasi besonin se investonin një kapital politik që do t’u njihej më vonë.

Ajo që kanë kuptuar tani në PD, është se nuk ka më rëndësi fuqia jote politike apo investimi për të rritur profilin e partisë, por raporti me familjen Berisha. Për këtë arsye askush nuk del në betejë, jo se ka frikë që do të humbasë, por kanë frikë se nuk do t’u dinë për nder betejat që bëjnë.

Është ajo që ka ndodhur dy vitet e fundit, me gjithë figurat e votuara të PD, që i ka bërë të gjithë të kuptojnë se nuk ka rëndësi sa vota merr, nuk ka rëndësi nëse del i pari në primare, nuk ka rëndësi nëse ke sakrifikuar për PD.
Rëndësi ka si i ke punët me Berishët.