Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në “A2 Weekend” me Suela Demirin, në A2 CNN ka deklaruar se opozita është e gjitha në terren për të kërkuar votën për Florjan Binajn në garën për kryetar bashkie në Tiranë, por pa ndërhyrë në programin e tij.

Sipas Këlliçit, llogaritë e PD-së janë pozitive dhe parashikojnë një fitore të mundshme në Tiranë për Binajn, për të cilin tha se “përmbledh në tërësi interesat e gjithë opozitës”.

“Tani që të sqarojmë qytetarin që na ndjek pikë së pari Florjan Binaj është kandidat i pavarur por gëzon mbështetjen e të gjitha forcave politike opozitare ku prin Partia Demokratike si forca më e madhe opozitare në vend. Ndërkohë që zoti Binaj është në fushatën e tij elektorale dhe vijon kryesisht sepse sa ka nisur mesazhet mediatike, mesazhet në rrjetet sociale e të tjera… Partia Demokratike ditën e djeshme ka mbyllur në Tiranë takimin paraprak për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha degët e Tiranës.

Pra, në një pjesë të takimeve ka qenë zoti Noka si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe deputet në qarkun Tiranë. Në një pjesë kam qenë unë, në një pjesë ka qenë zoti Xhaferri si deputet i Tiranës, zoti Balliu si deputet i Tiranës, zonja Tabaku si deputete e Tiranës dhe zoti Alimehmeti si një figurë shumë e fortë politike në Tiranë që fatkeqësisht edhe pse mori 18.000 vota nuk arriti të merrte një mandat deputeti kështu, por prin grupin e këshilltarëve në këshill bashkiak dhe të gjithë kemi qenë në terren. Pra ne çështjen tonë organizative e dimë mjaft mirë. Jemi një parti”, deklaroi Këlliçi.

Deputeti demokrat shtoi më tej se Binaj ka strategjinë e vetë të komunikimit dhe shtabin e tij, ndërsa forcat opozitare me në krye PD-në, do t’i garantojnë mbështetjen politike, duke vendosur theksin te komisionerët dhe numëruesit.

“Ai ka fushatën e tij dhe strategjinë e tij të cilën unë nuk e di edhe unë e ndjek nga mediat. Ka strategjinë e tij të komunikimit. Nëse ai shpallet kryetar i bashkisë Tiranë ai do të marrë vendime siç do, siç mendon vetë si i pavarur që është. Pra nuk do ketë asnjë lidhje me Partinë Demokratike apo me zotin Berisha. Mjafton t’ju përmend faktin që zoti Binaj sot në fushatën e tij është një individ krejt i pavarur. Ka ekipin e tij, ka shtabin e tij, ka strategjinë e tij mediatike, ka strategjinë e tij politike dhe është krejtësisht i pandikuar nga interesi qoftë politik i Partisë Demokratike, i partisë Mundësia apo i një partie tjetër. Por sigurisht zoti Binaj është përfaqësuesi më i mirë i të gjithë forcave opozitare përballë një kandidature si Ogerta Mansirliu që vjen nga qeverisja.

Ne kërkojmë votën për zotin Binaj sepse mendojmë që në mënyrë të pakrahasueshme është kandidaturë shumë herë më e lartë, më cilësore dhe që do t’i jepte zgjidhje problemeve të qytetit të Tiranës dhe pa diskutim në fund të ditës i gjithë aspekti logjistik, pra kur vjen puna te dita e zgjedhjeve, te komisionerët, te vëzhguesit, te garantimi i funksionimit të procesit zgjedhor pa diskutim do të garantohet nga Partia Demokratike sepse jemi ne forca që e kemi mundësinë për ta garantuar atë proces. Kështu që pa lënë mënjanë asnjë sekondë as Partinë Mundësia, as Partinë Nisma apo Shqipëria Bëhet, asnjë forcë tjetër politike as Partinë e Lirisë dhe Partinë Republikane”, nënvizoi Këlliçi.