Partia Demokratike ka reaguar pas protestës së zhvilluar këtë të premte në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me drejtësinë në Hagë.
Në një deklaratë zyrtare, PD vlerëson luftën e UÇK-së si “faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga koha e Skënderbeut”, duke theksuar se pa sakrificën e kësaj ushtrie, Kosova nuk do të ishte sot një vend i lirë dhe i pavarur.
“Lufta e UÇK-së ishte aleate e NATO-s gjatë bombardimeve të pranverës së vitit 1999 dhe i dha fund një pushtimi të gjatë serb”, thuhet më tej në deklaratë.
PD rithekson mbështetjen për drejtësinë ndërkombëtare dhe krijimin e Gjykatës Speciale, por shpreh shqetësim për mungesën e provave konkrete ndaj të akuzuarve, duke nënvizuar se shumë akuza të rënda janë rrëzuar si të pabazuara dhe të fabrikuara nga qarqe armiqësore ndaj shqiptarëve.
“Nuk është provuar asnjë urdhër konkret i ish-udhëheqësve të UÇK-së për kryerjen e krimeve, dhe procesi është ndërtuar mbi dosje të fabrikuara nga Beogradi”, thuhet në deklaratë.
PD i bën thirrje trupit gjykues të shpallë pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke kërkuar respektimin e parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Në përfundim, PD përshëndet protestën paqësore të mbajtur në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa dënon përpjekjet për manipulimin e saj nga, siç i quan, “albanofobë shqipfolës”.