Ilir Proda: Siguria në shkolla nuk është vetëm një proces dhe detyrim policor, por një proces institucional e shoqëror, ku kontribuojnë së bashku të gjithë aktorët: oficerët e sigurisë, mësuesit, prindërit, psikologët, pushteti vendor, vetë nxënësit dhe qytetarët.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka uruar oficerët e rinj të sigurisë dhe ka theksuar se kjo ceremoni shënon përmbylljen e një etape të rëndësishme në përpjekjet e përbashkëta për të rritur sigurinë në mjediset arsimore.
Ai nënvizoi se certifikimi i 112 oficerëve të rinj të sigurisë, pas një trajnimi të plotë në Akademinë e Sigurisë, i bën ata gati të marrin përsipër një detyrë me përgjegjësi të lartë, fisnike dhe delikate: mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.

Proda: Oficerët e sigurisë nuk janë vetëm për të zbatuar mekanikisht ligjin, por edhe për të ndihmuar, këshilluar dhe edukuar. Ata janë ura lidhëse midis Policisë dhe shkollave, janë aty për të dëgjuar, për të parandaluar, për të ndërhyrë me profesionalizëm dhe për të ndërtuar besim te nxënësit, që çdo shqetësim të adresohet me mirëkuptim dhe kujdes.

Detyra juaj kërkon përkushtim, maturi dhe, mbi të gjitha, dashuri për njerëzit.

Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në krahun tuaj.

Që nga viti 2019, në Akademinë e Sigurisë zhvillohet kursi “Trajnimi për oficerët e sigurisë në shkollat publike”, mbi bazën e kurrikulës së miratuar.
Gjatë periudhës 2019–2025 janë zhvilluar gjithsej 7 kurse trajnimi për oficerë sigurie në shkolla.

Faleminderit Akademisë së Sigurisë për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe trajnerëve e instruktorëve që kanë udhëhequr me profesionalizëm procesin e përgatitjes së kësaj trupe.

Kudo që të shërbeni, mbani parasysh se detyrën tuaj duhet ta shihni si një mision të përbashkët, të Policisë, shkollës, komunitetit dhe shoqërisë.
Edhe pse nuk mbani uniformë policie, konsiderojeni veten si të tillë, për sigurinë e fëmijëve tanë.
Vetëm së bashku mund të garantojmë që shkolla të jetë vendi më i sigurt për fëmijët tanë.