Partia Socialiste ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor aktet për zgjedhjet vendore të 9 nëntorit, pasi Komisioni Rregullator në KQZ nuk i miratoi dje për shkak se i bllokoi opozita me 2 votat e saj.

Dy anëtarët e Komisionit Rregullator, Muharrem Cakaj dhe Helga Vukaj votuan kundër akteve që përcaktonin fletën e votimit dhe afatet e fushatës, pasi kërkuan që 5 bashkitë e tjera, të ndahen nga Tirana.

Helga Vukaj, anëtare e propozuar nga PD tha se është fakt publik se ka ankim në Gjykatën Kushtetuese nga Erion Veliaj, ndaj KQZ nuk mund të miratonte dokumente zgjedhjesh për 9 nëntorin, pa u shprehur më herët Gjykata Kushtetuese.

2 anëtarët e opozitës votuan kundër, dhe aktet nuk u miratuan. Vendimmarrja i kaloi Kolegjit Zgjedhor, sepse duhen 4 vota për akte si ky. Dokumentet që dështuan të miratohen përfshinin: Afatet e fushatës, Karakteristikat e fletës së votimit dhe Identifikimin elektronik.