Nga Vladimir Karaj
Përpos një pale zgjedhjesh të kontestuara në vitin 2011, socialistët e kanë dominuar kryeqytetin në të gjitha zgjedhjet prej vitit 2000, duke i fituar garat lokale. Kjo e ka bërë Tiranën të duket një bastion i shumicës socialiste.
Por gara e hapur pas shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave, ndërsa ky ndodhet në qeli me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, krijon në letër një mundësi për opozitën dhe synimin e saj për ta përmbysur kryeqytetin.
Veliaj e ka ankimuar shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese, duke shkaktuar një ngërç ligjor me zgjedhjet e pritshme të kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, Këshilli i Ministrave i njoftoi vakancën Presidentit mëngjesin e së martës dhe pritet dekreti i tij brenda 48 orësh.
Ndërsa kryeministri Edi Rama prezantoi tre javë më parë ish-ministren e tij të Arsimit, Ogerta Manastirliu si kandidate për Bashkinë e Tiranës, opozita është ende pa një emër kandidati.
Partia Demokratike deklaroi se ndodhet në një proces konsultimi me partitë e tjera në opozitë për kandidatin e saj për Tiranën, por deri tani nuk ka ende një rezultat. Në distancë janë shkëmbyer fjalë, herë për rëndësinë e bashkëpunimit, dhe herë të tjera, qartazi kundër një mundësie të tillë.
Bashkimi i opozitës rreth një kandidati të vetëm, i aftë për të marrë vota përtej gardhit politik të së djathtës vlerësohet nga analistët e politikës si mundësia e vetme për të sfiduar shumicën dominuese. Ata thonë se edhe nëse arrihet ky parakusht, përmbysja e rezultatit në kryeqytet do të ishte në kufijtë e një mrekullie.
“Për mua është e vetmja lëvizje logjike që do shmangte një humbje të paracaktuar. Megjithatë, një rezultat pozitiv, edhe me bashkimin dhe një kandidat të përbashkët, është në kufijtë e mrekullisë,” thotë Arion Sulo, gazetar dhe analist politik.
“Sfidë e jashtëzakonshme”
Opozita pritet të futet në garën për Tiranën pas humbjeve të mëdha elektorale në nivel lokal dhe kombëtar. Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, Erion Veliaj u rizgjodh kryebashkiak i Tiranës me 158,688 vota, përkatësisht 54,69 % të votave. Kandidati opozitar, Belind Këlliçi mori 100,351 vota ose 34,58 %.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, socialistët e dominuan gjithashtu Tiranën, duke marrë 19 mandate kundrejt 13 mandateve të fituara nga Partia Demokratike. Humbja për herë të katërt radhazi e zgjedhjeve të përgjithshme nuk i lëkundi pozitat e Berishës në kontrollin e Partisë Demokratike.
Gjithsesi, kryeqyteti ka gjithashtu numrin më të madh të votuesve të etiketuar si gri, falë së cilëve tre parti të reja siguruan mandate në Kuvend.
Historia elektorale e Tiranës në dekadën e fundit ka treguar se fitoret e Partisë Socialiste kanë ardhur falë një kombinimi të mobilizimit të strukturave shtetërore dhe fragmentimit të opozitës.
Gazetari Arion Sulo thotë se shenjat janë të qarta edhe në këtë parafushatë.
“Kjo është e dukshme nga mobilizimi që i bëri Rama gjithë administratës, deputetëve dhe ish- deputetëve nën drejtimin e Ballukut për të ndihmuar Manastirliun,” tha Sulo, duke theksuar se pushteti përdor gjithçka për të siguruar fitoren.
Edhe Adri Nurellari, drejtor i Institutit Liberal Shqiptar, e sheh betejën e re si një sfidë të jashtëzakonshme për opozitën.
“Tirana është beteja më e rëndësishme politike e vendit, ku fitorja do të kishte efekt domino në gjithë hartën politike,” thotë ai. Por sipas tij, “praktikisht duket mision i pamundur” që opozita të arrijë një konsensus, për shkak të fragmentimit të Partisë Demokratike dhe tensioneve me partitë e reja opozitare.
“Nëse opozita nuk arrin të projektojë imazhin e unitetit, edhe një kandidat potencialisht i fortë do të perceptohet si i dobët. Në psikologjinë e elektoratit gri, e cila shpesh përcakton rezultatin në Tiranë, një opozitë e përçarë nënkupton paqëndrueshmëri dhe mungesë alternative reale”, thotë ai.
Për Erlis Çelën, profesor i komunikimit pranë Western Balkans University, opozita nuk ka mësuar nga humbjet e kaluara dhe nuk ka dhënë ndonjë sinjal që do të arrijë të unifikohet.
“Shenjat tregojnë se opozita është ende larg të kuptuarit të rëndësisë që ka krijimi i këtij bashkimi përtej interesave partiake”, thotë ai. Për të, çdo thirrje për bashkim ka mbetur në nivel retorik, pa u shoqëruar me hapa konkretë dhe gjasat janë që një bashkim të mos gjendet.
E gjitha rreth kandidatit
Kryetari i partisë së re “Mundësia”, Agron Shehaj ka artikuluar në publik rëndësinë e bashkimit të kampit opozitar rreth një kandidati të përbashkët jashtë partive opozitare. Por Ermal Hasimja, studiues i shkencave politike thotë se Partia Demokratike “nuk duket se është gati që ta pranojë idenë”.
Hasimja arsyeton se një kandidat i aftë të tërheqë vota gri do kishte shanse reale për të ndryshuar fatin e këtyre zgjedhjeve.
“Që të fitojë zgjedhjet për Tiranën, opozitës i duhet të marrë të gjithë votat e partive të opozitës si dhe shumicën e elektoratit gri. Për këtë arsye, e vetmja mënyrë që kjo të realizohet është që partitë opozitare të kenë një kandidat të përbashkët, i cili mund të marrë edhe vota përtej elektoratit të këtyre partive, kryesisht nga elektorati gri, e pse jo edhe vota socialistësh të zhgënjyer”, thotë ai.
Por çështja e kandidatit shihet si nyja më e vështirë për t’u zgjidhur. Në zgjedhjet e kaluara për Tiranën, opozita ka eksperimentuar pa sukses me kandidatë të profilit akademik si Halim Kosova dhe po ashtu me figura politike brenda saj.
“Problemi më i madh është gjetja e një kandidati që nuk shihet si ‘i kapur’ nga një krah i caktuar,” vëren Nurellari. Sipas tij, Tirana nuk është një qytet ku funksionon kompromisi minimal: “Aty kërkohet një profil karizmatik, me reputacion të pastër, me aftësi komunikimi dhe njohje konkrete të problematikave urbane – transport, ndërtim, mjedis, shërbime publike.”
Edhe analisti Arion Sulo thekson rëndësinë e kandidatit, por aq sa të kohës kur zhvillohen zgjedhjet. Ai thekson gjithashtu se opozita duhet të marrë një vendim për të mos lejuar krijimin e fabulës se ka frikë të përfshihet.
“Opozita nuk duhet të nxitohet dhe as të vonohet. Duhet të gjejë një kandidat si antitezë e Manastirliut,” tha Sulo, duke përmendur si kandidatë të mirë emrat e Ilir Alimehmetit apo Agron Shehajt.
Nga ana e tij, Erlis Çela sheh se kërkimi për kandidat deri tani nuk ka dalë jashtë oborrit të partive politike të opozitës, diçka që sipas tij ka pak gjasa të sjellë ndryshim.
“Partitë opozitare janë duke parë vetëm brenda oborrit të tyre dhe pothuajse janë shkëputur nga elektorati opozitar, i cili i zhgënjyer zgjedh ose të abstenojë në zgjedhje ose të largohet nga vendi”, tha Çela.
Sipas tij, kjo ka krijuar tashmë një hendek të madh mes elitës politike dhe votuesve, duke i dhënë mazhorancës mundësi të përforcojë narrativën e stabilitetit.
Veliaj në burg: shans i papërdorur?
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me akuza për korrupsion dhe abuzim me tendera, ka krijuar një situatë të paprecedentë politike. Për herë të parë që nga vitet ’90, kryeqyteti shkon në zgjedhje me kryebashkiakun aktual prapa hekurave.
Por arrestimi i Veliajt u testua gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pa e dëmtuar Partinë Socialiste të Edi Ramës në Tiranë.
Mundësia e opozitës për të luajtur kartën “Veliaj” në zgjedhjet e radhës nuk shikohet me optimizëm nga analistët e politikës, të cilët theksojnë rëndësinë te bashkimi i opozitës dhe një kandidat që mund të frymëzojë.
“Në fushatën e ardhshme do të ndikojë kandidati, mbështetja e plotë ose jo opozitare ndaj tij, por në fushatë nuk do të ketë ndikim arrestimi i Veliajt. Nëse skandalet e qeverisjes qendrore dhe vendore do të kishin pasur ndikim, kjo do të ishte dukur më herët”, tha Hasimja.
Në të njëjtën linjë është edhe Sulo, i cili thotë se votuesit janë të mpirë dhe nuk reagojnë ndaj skandaleve apo korrupsionit.
“Nuk mendoj që do të ndikojnë përderisa nuk ndikoi arrestimi i Veliajt në zgjedhjet e 11 majit. Shqiptarët e kanë humbur ndjesinë ndaj korrupsionit dhe nuk reagojnë”, tha ai.
Por për Çelën dhe Nurellarin, kjo është një mundësi e madhe për opozitën dhe se ajo duhet të jetë në gjendje ta shfrytëzojë atë.
“Në këndvështrimin tim, opozita nuk do gjente një situatë më të favorshme kur kundërshtari i saj në Bashkinë e Tiranës është në burg,” thotë Çela, duke e cilësuar këtë si një mundësi unike për të imponuar ndryshimin. Megjithatë siç thotë Çela, “avantazhi në një garë elektorale nuk fitohet asnjëherë në tavolinë.”
Edhe Nurellari sheh një mundësi të çelur për opozitën në këtë pikë.
“Po, akuzat ndaj Veliajt janë një goditje serioze për imazhin e PS në Tiranë. Ato kanë krijuar një boshllëk që opozita mund ta shfrytëzojë për të ndërtuar narrativën e vet mbi nevojën për ndershmëri dhe transparencë”, thotë ai.
“Por pa kandidatin e duhur dhe pa një alternativë të besueshme, e gjithë pakënaqësia dhe revolta mund të kthehen në abstenim ose dorëzim,” përfundoi ai.