Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fjalën e mbajtur në Konferencën për 30 vjetorin e partneritetit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias, tha ndër të tjera se sot vendi ynë ka një sistem drejtësie që po ngrihet mbi themele të forta të pavarësisë dhe integritetit, me gjykata dhe prokurori të posaçme produkt i kësaj reforme që për herë të parë në historinë e shtetit të pavarur shqiptar, kanë patur mundësinë reale të hetojnë, ndjekin penalisht dhe dënojnë njerëz me pushtet.
“Besimi në rritje i qytetarëve tek këto institucione është treguesi më i fortë i vlerësimit që kemi bërë gjënë e duhur dhe do të vijojmë ta mbështesim reformën në drejtësi, duke synuar konsolidimin e mëtejshëm të të gjithë hallkave të kolanës së drejtësisë, në funksion të garantimit të plotë të barazisë para ligjit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka rritur stadardet e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin tonë të drejtësisë”, deklaroi ministri Lamallari.
Në vijim tha se përtej rezultateve inkurajuese të Reformës në Drejtësi, jemi të vetëdijshëm se përmbushja plotësisht e vizionit dhe programit qeverisës “Shqipëria 2030 -Shtet i së Drejtës” në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të çdo qytetari, shkon përtej parimeve themelore të pavarësisë së pushteteve dhe kontrollit kushtetues.
“Vetëm përmes zbatimit besnik të parimit “checks and balances”, gjykatat mund të shërbejnë si balancues moral dhe juridik, me qllimin përfundimtar: mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, tha Ministri i Drejtësisë.
Më tej ai përmendi dy të dhëna, të cilat i cilësoi si aspak të rehatshme që vijnë nga sistemi penitenciar dhe ai gjyqësor.
“Së pari, nga 4576 shtetas të cilët gjenden sot në burgjet e vendit, rreth 60% e tyre janë ende në pritje të një vendimi drejtësie. Qëndrimi në paraburgim, për një kohë më të gjatë se koha e disponuar me vendim përfundimtar gjykate, për shumë prej tyre shndërrohet në padrejtësinë më të madhe për ta dhe familjarët e tyre; Së dyti, teksa ne përballemi me sfida si vakancat e krijuara nga zbatimi i vettingut në Shqipëri, sigurisht një masë mëse e nevojshme, apo rritja në vijim e backlog apo çështjeve të mbartura nga viti në vit, ndonëse ligji sanksionon ndërmjetësimin si veprimtari jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në çështje civile, familjare, të punës, apo edhe në rastet kur përfshihen interesa të të miturve apo marrëdhënie bashkëshortore, vitin e shkuar në shkallë Republike, vetëm një Gjykatë rrethi ka udhëzuar dhe informuar palët mbi mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit. 25 raste nga 1500 të tilla të regjistruara vullnetarisht apo përmes shërbimit për ndihmë juridike falas në Ministrinë e Drejtësisë, nuk arrin dot as 2% të totalit të çështjeve që mund të ishin kanalizuar për zgjidhje përtej proceseve tradicionale, të cilat më së shumti janë të tejzgjatura, me kosto për qytetarët dhe ndikim tek besimi i tyre në institucionet e drejtësisë.
Shkalla e suksesit të trajtimit dhe zgjidhjes së tyre nga ndërmjetësit e licensuar arrin në 85-90%. Kjo sa për të ilustruar, pa folur më pas për potencialin e jashtëzakonshëm por shumë pak ose aspak të eksploruar të arbitrazhit, pajtimit, negocimit, apo metodave hibride dhe përdorimit të teknologjisë për zgjidhjen e një kategori mosmarrëveshjesh”, deklaroi Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Në përfundim ai tha se shteti i së drejtës nuk është një stacion ku mbërrijmë, por një udhëtim i pandalshëm që kërkon përkushtim të përhershëm. Prandaj, sfida jonë sot është ta konsolidojmë Reformën në Drejtësi, të sigurojmë funksionimin efikas të institucioneve të reja, të rrisim transparencën dhe të forcojmë integritetin në çdo hallkë të administratës dhe sistemit të drejtësisë.