Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka njoftuar se kanë nisur përpjekjet për rikthimin e energjisë elektrike në centralin bërthamor të Zaporizhisë (ZNPP), i cili ka qëndruar i shkëputur nga rrjeti për katër javë, periudha më e gjatë pa energji që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të IAEA-s, Rafael Grossi, riparimet po kryhen falë vendosjes së disa zonave lokale të armëpushimit, të cilat kanë krijuar hapësirë për ndërhyrje teknike në linjat e dëmtuara.

“Rivendosja e energjisë është thelbësore për sigurinë bërthamore,” shkroi Grossi në rrjetet sociale. “Të dyja palët u angazhuan në mënyrë konstruktive për të mundësuar zbatimin e planit kompleks të riparimit.”

Ministria e Energjisë e Ukrainës konfirmoi se teknikët vendas janë duke punuar për të rikthyer furnizimin elektrik në central, në atë që është përpjekja e 42-të për riparim që nga fillimi i pushtimit rus.

Centrali, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që nga ditët e para të luftës, humbi muajin e kaluar lidhjen me të vetmen linjë të mbetur të energjisë, duke u detyruar të funksionojë me gjeneratorë nafte për mbi 20 ditë. Sipas IAEA-s, kjo ishte hera e dhjetë që ZNPP mbetej pa lidhje me rrjetin elektrik që prej vitit 2022.

Ndërprerja e gjatë ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë bërthamore, pasi gjeneratorët nuk janë një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë.