Nga:
-Prof. Dr. Hulusi Hako, Kryetar i Organzatës Kombëtare të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it,
-Anila Gjokoreci, pasardhëse veterani, shefe e Departamentit të mardhënive me jashtë pranë këtij Komiteti Kombëtar
-Bashkim Koçi, pasardhës veterani, gazetar
Organizata jonë, sot, i ka me kimet Veteranët, përfaqësues të brezit të LANÇ-it, që bënë histori, hynë e mbetën në të, si dukuria e atdhetarisë së kulluar, heroizmit deri në sublimitet. Të gatshëm për çdo sakrificë, ata mbeten modeli për mbi njëzetmijë Pasardhës – burim i pashtershëm i mbajtjes gjallë së kësaj trashëgimie më të vyer identitare dhe konsolidimit të atdhetarisë, që sot ta mbajnë gjallë e trashëgojnë këtë tipar themlor ekzistencial, si gjënë më të shtrenjtë dhe të shenjtë, si peivilegj, krenari e përgjegjësi. Ismet Elezi, Njazi Jaho e Luan Omari janë përfaqësues tipikë të brezit të tyre të lavdishëm – atdhetarë e dinjitozë. Në atë brez të lavdishëm, u shquan për vendosmëri dhe qartësi në kohën kur vendi u ndodh jo thjesht në vështirësi, por në robërinë e padurueshme të thundrës fashiste dhe pikërisht kur në këtë gjëndje, atij i lindi problemi ekzistencial për liri, sovranitet, liri dhe dinjitet njerëzor. Bëhet fjalë për brezin që desh të aspironte të arsimohej, të zgjidhte rrugën e jetës, të dashuronte, por atdheu rënkonte e rënkonte! – Ç’ke o Mëmëdhe, ja ku na ke ne! Kush bie për Atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”! Kjo ishte deviza e brezit të asaj kohe, së cilës i qëndruan besnik edhe përgjatë gjithë jetës aktive profesionale – trashëgimi kjo edhe prej edukatës familjare nëpërmjet së cilës u ndërgjegjësuan të ndjekin në jetë të vërtetën dhe të drejtën, virtyte të cilat i konsoliduan e sanksionuan edhe profesionalisht me arsimimin e tyre në fushën e Jurisprudencës. Kjo pasuri dhe pastërti shpirtërore u bë dhe burim e forcë e jetëgjatësisë së tyre, lidhja me këto virtyte, u konsolidua, u bë më organike, gati si të regjistruar në gen.
Veprimtaria e tyre, si ajo gjatë Luftës dhe në paqe në fushën e drejtësisë, në të drejtat e njeriut – është vlerësuar e sanksionuar nga organet e larta shtetërore me dokumente zyrtare, me medalje e dekorata. Bashkia e Tiranës i ka shpallur “Mirënjohja e qytetit”, Organizata jonë i ka vlerësuar me titullin “Nderi i Organizatës”. Por, ata kanë edhe të veçantat e tyre.
***
1. Profesor ISMET ELEZI, biri i rivierës shqiptare, lindur në Fterë të Sarandës, më 5prill 1920. Krahas favorit natyror të frymëmarrjes së ajrit të jodizuar të Adriatikut, u brumos me mendje të kthjellët, objektive dhe karakter thellësisht njerëzor, plot thesare ku dhe shumë të tjerë kanë dhënë aq shumë urtësi e mençuri. Me këto premisa, Profesori ynë shndriti shekullin.
Nuk gjen asnjë degë të shkencës e të dijes ku brezat e këtij fshati të mos kenë dhënë shpirtin dhe dijet e tyre të vyera, ndër ta janë 11 me titujt: Profesor, Doktor Shkencash, “Mësues i Popullit”, “Të Merituar”, etj.
Ky personalitet ka lindur në kohë luftërash vendimtare, në atë mot kur pushtuesit italianë dyndën drejt qytetit të Vlorës. Dhe ndodh me Ismet Elezin, siç ndodh me pemën: sa më shumë ajo mësyn drejt dritës, aq më fort rrënjët e saj kapen me tokën. Mbas arsimit fillor në vendlindje, Liceun në Tiranë, fitoi konkursin për në Universitetin e Firences, Itali. Në korrik 1943 ndërpreu studimet për t’iu përgjigjur thirrjes së Atdheut, dhe u bë pjesë aktive e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
I riu plot dinjitet dhe aftësi për t’u përballur me punë, qofshin edhe të vështira, në prill të vitit 1945 mori detyrën në sektorin e propagandës të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Urtësia, fjala dhe entuziazmi i tij rinor ngjiti kudo, sidomos në krahinën e Bregut, Kurveleshit dhe më tej. Kish ëndërruar të studjonte për Drejtësi, që iu bë e mundshme ta fillonte në vitin 1946 në Leningrad, deri në vitin 1951 me rezultate të shkëlqyera, sepse në ato vite shkollimi ai u udhëhoq nga parimi: Sot një student, nesër një drejtues i zoti. Kësaj familjeje që lind dhe edukon njerëz inteligjent dhe të përkushtuar, i përket edhe kirurgu duarartë Besim Elezi, i cili po i afrohet vitit jubilar të 90-vjetorit të lindjes. Qeveritë që erdhën pas shpalljes së pavarësisë, po t’ia kishin ngenë të përkujdeseshin për përmirësimin e racës shqiptare, atë “vatër Elezi” në Bregdet, do ta kishin shpallur “Famlje inkubator”.
Dhe ky shkëlqim domosdo që la gjumë të arta, ndaj ishte Ismet Elezi ai që do të përzgjidhej për të vazhduar studimet pasuniversitare 1957-1961 dhe u vlerësua me gradë shkencore.
Si njeri i fushës së drejtësisë, Profesori ynë e konsideronte këtë mision si detyrë hyjnore, si të lidhurin e përjetshëm pas qëllimit që i kish vënë vetes në detyrën fillestare të Prokurorit dhe më tej Sekretar Shkencor i lnstitutit të Shkencave, i Universitetit të Tiranës, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985), drejtues i Katedrës Penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990) etj. Ky intektual me profesionalizëm në rritje mbetet shembull i përsosmërisë, model dhe krenari për kombin. Dhe ky përkushtim i madh, i kishte rrëmbyer shpirt e zemër Profesorit, për t’u udhëhequr nga motoja: Të mbretërojë kudo drejtësia! Vetëm kështu ai do të ishte konsekuent dhe i kujdesur për vazhdimësinë në karrierë, njësoj si në fillim, si atëherë kur ishte betuar për të qenë besnik i së vërtetës dhe të drejtës.
Për Profesorin, suksesi ishte dhe mbeti deri në fund një proces i vazhdueshëm, një status që e ngjiti lart e më lart profesionalisht dhe i besoi detyra me përgjegjësi. Për rreth 50 vjet ai do të punonte si pedagog pranë UT, në Fakultetin e Drejtësisë, ku në këtë udhëtim të suksesshëm ka marrë dhe titullin “Profesor”. Ishte viti 1972. Është rasti dhe vendi të sjellim faktin se titulli Profesor nuk do të ndryshonte asgjë te karakteri apo puna e tij sistematike për të ndjekur hap pas hapi zhvillimet dhe proceset që kishin të bënin me përsosmërinë, qoftë në formimin profesional të studentëve, qoftë në zhvillimet progresiste të sistemit të drejtësisë. Profesor Ismet Elezin nuk e bëri për vete asgjë që të mund të largohej nga udha e së vërtetës duke zbatuar ligjin.
Profesori ka krijimtari të gjerë shkencore me 280 vepra me mbi 8000 faqe të botuara, të sistemuara dhe të gatshme për të mbetur një bibliotekë e vogël për brezat që do të studjojnë këtë shkencë të bukur, ndonëse të vështirë të drejtësisë – përfshirë monografi e tekste universitare. Vepra shkencore: “E drejta zakonore penale e shqiptarëve” ka marrë Çmimin e Republikës. Vepër tjetër me vlerë të veçantë është dhe “E drejta zakonore e Labërisë”. Është autor i 14 teksteve universitare, i 27 veprave shkencore si dhe i 16 librave, si bashkautor i teksteve të tjerë me të cilët për shumë studiues kanë qenë e do të mbeten “lëndë e parë” për zgjerimin dhe konsolidimin e formimit në jurispudencë. Bie në sy fakti se Prof. Ismet Elezi ka qenë aktiv, intelektual me kërkesa të larta. Ai mbetet ndër personalitetet më në zë që ka marrë pjesë në mjaft konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
I është përgjigjur kësaj kërkese në mënyrë konstante, gjë që ka lënë gjurmë në formimin e këtij personaliteti të lartë, dhe po i tillë është reflektimi i tij në shoqëri ku punoi e kontribuoi. Janë këto virtyte që në vitin 1998, Qendra Ndërkombëtare e Biografëve në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar” në shkencë. Profesori ynë tashmë e ka kapërcyer shekullin, madje festoi edhe 105-vjetorin e lindjes, gjë për të cilën presidenti i Republikës zoti Bajram Begaj organizoi një ceremoni të veçantë.
2. Ndërsa vitet largohen, trashëgimia e këtyre mbishekullorëve bëhet më me vlerë e shkëlqim. Figura tjetër emblematike është juristi ynë Njazi Jaho, biri i Gjirokastrës, i lindur në Palorto më 25 prill 1923, atdhetar i kulluar, jurist i shquar i një jete të pastër e të pasur për të vërtetën dhe drejtësinë. Studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Universitetin e Leningradit, për Juridik. I riu 34-vjeçar u shqua që në Konferencën e Tiranës (1957), që PPSH e drejtuar nga Enver Hoxha, të zbatonte doktrinën komuniste sipas etikës së saj, pa dallime e privilegje…
Ky personalitet, ndër më aktivët, drejtues e krijues, deri dhe në Komitetin e Helsinkit, për pikëpamjet e tij të barazisë shoqërore dhe pa dallime të theksuara, u ndëshkua me burg, u internua, i privuar edhe nga ushtrimi i profesionit. Ky ndëshkim mbeti sipas sloganit diferencues “Partia pohon, populli dëgjon”. Le të thuhet “burgu për burrat është”, një fjalë goje koj. Por shpirti i atij që e përjeton, e di se sa i rëndon, sidomos kur është politik i zbatuar brenda llojit, sepse Njaziu kish provuar edhe burgun fashist (prill 1942) të cilin e përjetonte si një dënim të atdhetarisë së tij të pastër, sepse po ndëshkohej si antifashist, me devizën: Për Shqipëri, për liri.
Nga ana tjetër, ndërgjegja njerëzore, në dialektikën e vet evolon dhe forcon karakterin, kur mban për bosht të qëndrueshëm e të palëkundur bindjen se jeton për të vërtetën dhe të drejtën. Me këtë bindje, kushdo mbetet në natyrshmërinë e vet me çiltërsi, sinqeritet, besnik i profesionit të vet. I hodhi në kosh akuzat që ishin shpalosur publikisht dhe që opinioni i kohës i kish regjistruar si absolute. Me mendimin sovran në të drejtën dhe të vërtetën, ai mbeti vetvetja, kurse politika vazhdon me relativizmin, konjukturat dhe dredhitë e saj.
Kjo kategori njerëzish mbeti konseguente në mendime e karakter në mënyrën e konceptimit të jetës dhe të komunikimit gjithnjë njëzor. Me këto peripeci, ai Njazi, vijon normalisht në të njëjtën trajektore, me të njëjtin karakter dhe mënyrë kuptimi të jetës dhe komunikimi me njerëzit. Mbeti gjithnjë po ai, ish-partizani, ndër kuadrot aktivë, nëmos ndër më të shquarit në radhët e formacioneve partizane edhe për faktin se ishte pjesë e “të paktëve në numur”, e atyre që shquheshin si njerëz jo vetëm të arsimuar, por me qëndresë, guxim e dinjitet. Njazi Jaho, me karrierë të gjatë profesionale dhe gradë Doktor Shkencash, është një ndër përfaqësuesit më të denjë, që nuk ka bërë kurrë kompromis me të keqen, me shkeljen e Ligjit. Ai, menjëherë pas viteve ’90, (67 vjeç), u angazhua me të gjitha mundësitë që kishte në Komitetin Shqiptar të Helsinkit si Këshilltar ligjor, ku do të shfaqte në sy të opinionit publik jo vetëm kompetencën dhe aftësitë profesionale të njeriut të urtë e të ditur, por edhe vendosmërinë për të ruajtur e për të mos cënuar atë më jetiken, të drejtat e njeriut. Kujtojmë se KShH (Komiteti Shqiptar i Helsinkit) ka patur në krye juristë dhe veprimtarë të shquar si Ylli Popa e të tjerë me radhë, por ai që është dhe mbeti gur i palëvizshëm, e ka emrin Njazi Jaho. Në çështjet ku ngecte “sharra në gozhdë” ajo që hiqte litarin ishte konsulenca me të drejtin Njazi Jaho.
Kjo figurë njerëzore, që të shijonte në vazhdimësinë e jetës sipas urtësisë popullore “Mendje e shëndoshë, në trup të shëndoshë”, natyra i dhuroi edhe faktorin shëndetsor. Konstitucialistin Njazi Jaho, nëse jeta e ka “ndëshkuar”, duke kaluar shumë peripeci, e madje të rënda e me pasoja të ndjeshme në jetën e tij personale, natyra e ka mbajtur pranë, e ka përkëdhelur, i ka falur më të çmuarin, siç është shëndeti. Ai është nga ata që numërohen me gishtat e dorës, nga ata që e ka kapërcyer shekullin. Në këtë staturë, është për t’u theksuar edhe kontributi në fushën e jurisprudencës.
Falë dinjitetit e karakterit të tij të palëkundur, Njazi Jaho mbetet të jetë edhe NJERI. Ndoshta, pse jo, që kjo mendje e ky karakter e “mori më qafë” në atë vit të largët, 1957, kur jeta e shtyu në një tatëpjetë të papritur dhe të padëshiruar, e cila sot ka evoluar në lavdi dhe krenari. Esetë e tij të vitit 1991, trajtojnë çështje të ndryshme, përfshirë probleme kushtetuese dhe çështje të burimeve njerëzore botuar në gazetat përkatëse të kohës. Jeta ka provuar dhe e ka vërtetur se kurora e lavdisë nuk mund të vendosen kudo e ngado, por tek ata që janë përkushtuar dhe kanë mbetur qëndrestarë gjatë gjithë jetës, sidomos ndaj Ligjit. Në këtë kuptim, sado pasuri të zotërojë njeriu, sado shëndet, apo rehati të gëzojë, ai nuk ndihet i përmbushur nëse nuk ka vlerësimin e njerëzve. Njazi Jaho në këtë drejtim ndihet i privilegjuar, sepse mbetet ndër të rallët që e ka fituar vlerësimin publik për atë që ka bërë si besnik i ligjit.
3. Janë të shumtë në jetë, njerëzit me emrin LUAN, por ta mbash dhe justifikosh atë si Profesori ynë Luan Omari, kjo ndodh rrallë. Ky Profesor, lindur në Tiranë, më 10 qershor 1925, në rininë e tij, hyri dhe përjetoi përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Shkollën fillore dhe të mesme i ndoqi në Tiranë. Pas mbarimit të gjimnazit (fillimi i viteve ’40), u dërgua me bursë shtetërore për studime në Itali, për Shkencat Juridike. Pas Luftës, përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Më pas iu kushtua karrierës akademike kërkimore; karrierë e gjatë si pedagog e profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Është autor i shumë librave universitarë në: Teori shteti dhe të drejtë kushtetuese, Historia e Shtetit dhe e së drejtës, e Drejta e Krahasuar, Shteti dhe e Drejta, etj, artikuj dhe studime në revistat shkencore, përkthime dhe pështatje të literaturës juridike perëndimore për nevojat e universiteteve shqiptare. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kontribues në hartimin e kushtetutave të vendit. I lidhur ngushtë me Jurisprudencën, ai u bë një nga figurat themelore të Drejtësisë dhe shkencës juridike shqiptare.
Në vitin 1956, mori titullin Doktor i Shkencave Juridike. Më 1960 u bë Profesor në Fakultetin e Drejtësisë. Nga fillimi i viteve ‘70 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas mbajti postin e Sekretarit Shkencor të kësaj Akademie. Më pas, drejtoi për vite me radhë Departamentin e Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës; ishte pjesë e komisioneve për hartimin e kushtetutave të Shqipërisë (1976 dhe projektet pas viteve ’90).
Luan Omari, një nga juristët dhe akademikët më të shquar shqiptarë, është dekoruar disa herë gjatë jetës së tij për kontribut në shkencën juridike, arsim dhe kulturën shqiptare.
-Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSh e ka dekoruar me disa medalje e urdhëra: Urdhëri “Naim Frashëri i klasit të Parë” për merita të veçanta në fushën e shkencës, arsimit, botimeve shkencore. Ai është vlerësuar gjithashtu me tituj të tjerë deri në periudha të ndryshme si akademik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i institucioneve të rëndësishme shkencore e shtetërore.
Profesor Luan Omari mbetet konstitucionalisti i shquar dhe me një jetë të pasur, me bosht të jetës për të vërtetën dhe drejtësinë.
Të tre këta personalitete mbishekullorë, kanë milituar denjëisht edhe në Organizatën tonë “Nderi i Kombit”, mbeten një pasuri e çmuar jo vetëm për OVP-të e LANÇ-it, por për të gjithë plejadën e juristëve të vendit. Të tillë qytetarë nderojnë kombin, prandaj dhe janë plotësisht të denjë të shpallen “Nderi i tij” në këtë 81- vjetor të Çlirimit të Atdheut.