Unioni Turistik i Shqipërisë, bashkia dhe operatorët turistikë synojnë që Pogradeci të ketë turizëm gjatë gjithë vitit.

Asetet turistike të qytetit liqenor ofrojnë shumë edhe në stinën e dimrit, ndaj domosdoshmëri mbetet promovimi.

Pogradeci, i njohur për fluksin e pushuesve gjatë verës, në stinët e tjera pret vetëm pushues ditorë, të cilët vërehen kryesisht gjatë fundjavave.

Me qëllim shfrytëzimin e aseteve turistike që ofron qyteti liqenor gjatë gjithë vitit, operatorët turistikë, përfaqësuesit e njësive akomoduese dhe bashkia u mblodhën në një tryezë të përbashkët, e cila synon që Pogradeci të mos jetë një pikë tranzitimi, por një vend i mirëfilltë pushimi, ku ofrohet një larmishmëri turistike.

Afërsia me aeroportin e Ohrit pritet të ketë ndikim në shtimin e agjencive turistike me destinacion Pogradecin, i cili mbetet një ofertë e mirë në hartën e destinacioneve të Shqipërisë.