Politika shqiptare në zi.

Me një foto të “arkitektit” të partisë socialiste, Edi Rama, ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit Fatos Nano me mbishkrimin “Lamtumirë kryetar”. Ndërsa kreu i shtetit Bajram Begaj vlerësoi kontributin e liderit socialist përgjatë tranzicionit dhe politikat reformiste e liberale që solli në politikën shqiptare.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij.”

Bashkëpunëtorë të vjetër por edhe socialistë të rinj, të gjithë, vlerësuan vizionin e tij për ndërtimin e Shqipërie me sytë drejt Europës. Kryeparlamentari Niko Peleshi, kujtoi kohen kur Nano hapi dyert e partisë për të rinjtë. Peleshi shkruan se Nano, pati guximin të thyente gogmat dhe të ngrite të majtën mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeverisë dhe modernizonte vendin.

Ndërsa Taulant Balla thotë se Fatos Nano e mbajti partinë të qëndrushme në interesin kombëtar ndërsa thekson se trashëgimia politike e ish kryeministrit do të mbetet e gjallë në historinë e tranzicionit demokratik të SHqipërisë.

Nga opozita, Tritan Shehu, ishte i pari që iu bashkua ngushëllimeve për familjen dhe bashkëpunëtoret ndersa mesazhet nuk munguan as përtej kufinjve. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, shkruan se Nano ishte një njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjyrmë të pashlyeshme në historinë modern të Shqipërisë ndërsa ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi kontributin e dhënë nga Nano, për cështjen kombëtare në kohë krizash si brenda ashtu edhe jashtë kufinjve të Shqipërisë.