Pas tre vitesh pa asnjë gjurmë të Ervis Martinajt, familjarët e tij kanë depozituar një kërkesë në Gjykatë për shpalljen zyrtare të tij si të zhdukur. Megjithëse procedura është formale, misteri mbi fatin e tij vijon të mbetet i pazgjidhur.
Në një intervistë për emisionin “Në kohë reale”, avokati i familjes, njëherazi edhe ish-avokati i vetë Martinajt, deklaroi se nuk ka asnjë informacion nëse ai është gjallë apo jo. Ai theksoi se familjarët kishin besuar gjatë në institucionet shtetërore dhe në premtimet për zbardhjen e çështjes.
“Nuk kam informacione që të them nëse ai jeton apo jo. Nuk mendoj që kanë bërë kërkime të tyre, ata kanë besuar gjatë te shteti edhe prej premtimeve të bëra që pritej të kishte informacion. Ka patur informacione sikur nga disa aplikacione të tjera dhe kanë pritur dhe kanë menduar që shteti duhej të bënte më shumë dhe të kishte një përgjigje për fatin e tij nëse është apo jo gjallë”, u shpreh avokati.
I pyetur për arsyet e kërkesës në gjykatë, ai sqaroi se procedura nuk lidhet me pasurinë e Martinajt, por është një hap ligjor për të lehtësuar disa procese familjare.
“Nuk ka lidhje fare me pasurinë. Ky proces nuk ndikon fare në mënyrën e Administrimit apo ndarjes së pasurisë. Në këtë rast caktohet një kujdestar për pasurinë, njëri nga familjarët i cili kujdeset edhe kur nuk ka një vendim gjykate dhe kjo kërkesë për shpalljen të zhdukur nuk ka lidhje me pasurinë. Familja pjesën e pasurisë nuk e ka fare në konsideratë për momentin. Ajo ishte një procedurë ligjore në rastin që nuk ka asnjë informacion për të për të patur lehtësi në familje, për shembull për lëvizjen e fëmijëve. Është një procedurë e bërë në formë formale, por nuk ka lidhje me pasurinë”, theksoi ai.