Qeveria shqiptare ka prezantuar zyrtarisht projektin e Identitetit Digjital, një nismë madhore që shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin teknologjik të vendit dhe afrimin me standardet evropiane. Në aktivitetin ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u theksua se ky projekt do të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me shtetin, biznesin dhe njëri-tjetrin, duke e bërë jetën më të lehtë dhe më të sigurt.
Portofoli digjital do të përmbajë të gjitha dokumentet personale, nga karta e identitetit dhe leja e drejtimit, te diplomat dhe certifikatat, të cilat do të jenë të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment. Qytetarët do të mund të vërtetojnë identitetin e tyre në pak sekonda, pa radhë dhe pa vonesa. Projekti sjell më shumë shërbime 24/7, më pak burokraci dhe më shumë transparencë, ndërsa për biznesin krijon më shumë besim dhe efikasitet.
Ministrja Koçiu bëri të ditur se deri në vitin 2027, Identiteti Digjital i Shqipërisë do të bëhet pjesë e Portofolit Evropian të Identitetit Digjital, që do të lejojë përdorimin e dokumenteve në çdo vend të Bashkimit Evropian.
“Identiteti Digjital lidhet me të dhënat biometrike, gjurmët e gishtave, njohjen e fytyrës dhe nënshkrimin elektronik. Deri në vitin 2027, ai do të jetë pjesë e Portofolit Evropian të Identitetit Digjital, duke i lejuar qytetarët ta përdorin identitetin e tyre në çdo vend të BE-së,” – u shpreh ministrja.
Sipas Komisionit Evropian, deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve të BE-së do të kenë një identitet digjital funksional, me ndikim pozitiv deri në 13% të PBB-së, ulje të kostove administrative me 30-50% dhe reduktim të mashtrimeve online me 80%.
Ministrja kujtoi se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ofron mbi 95% të shërbimeve publike online përmes platformës e-Albania. Deri më sot, 3.3 milionë qytetarë shqiptarë kanë përfituar rreth 50 milionë shërbime elektronike. Sipas saj, Identiteti Digjital do të forcojë më tej sigurinë dhe integritetin e këtyre shërbimeve.
Në fjalën e saj, Koçiu prezantoi edhe projektin Smart City, që synon të krijojë një shtet “që sheh, dëgjon dhe reagon në kohë reale”. Përmes kamerave inteligjente, do të mundësohet një monitorim i vazhdueshëm i hapësirave publike në 20 qytetet kryesore të vendit.