Fatos Nano është një nga figurat emblematike të politikës shqiptare pas rrëzimit të regjimit komunist. Ai e nisi karrierën nga gërmadhat e Partisë së Punës, si përfaqësues i saj, për t’u bërë shumë shpejt udhëheqësi i një force politike të cilën e transformoi rrënjësisht, duke i hequr nga shpina, kryqin e rëndë të trashëgimisë komuniste. Fillimisht duke i ndryshuar emrin, e më pas edhe mentalitetin.

Në drejtimin e tij, Partia Socialiste u modernizua dhe mbeti e hapur ndaj rrymave dhe debatit. Si askush tjetër, Fatos Nano drejtoi jo përmes forcës së pushtetit, por u imponua përmes betejave të brendshme, duke u tërhequr, për t’u rikthyer në majë, me forcën e votës dhe mbështetjen e anëtarësisë.

Ai u kritikua gjerësisht për korrupsionin e përhapur të qeverisjeve socialiste, dhe u vu shpesh në qendër të sulmeve dhe për pjesën private, pasionin e tij për t’i dhënë makinës apo jetën e natës.

Megjithatë, ai ishte i pari, e mbetet deri më tani i vetmi, që pasi drejtoi vendin 4 herë si kryeministër, dhe Partinë socialiste për më shumë se 14 vjet, u tërhoq nga politika, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005. Një përpjekje e mëpasshme për rikthim, u kufizua vetëm në synimin për të provuar, pa ia arritur, edhe karrigen e presidentit të vendit.

Shkollimi dhe puna në Institutin e studimeve marksiste-leniniste

I lindur më 16 shtator të 1952-it, në Tiranë, Fatos Nano, ndoqi gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në vitin 1975 u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta, eksperiencat e tij profesionale përfshinë pozicione të ndryshme nga ekonomist në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, si studiues në Institutin e Studimeve marksiste-leniniste, më pas po si ekonomist në fshatin Priskë të Tiranës, për t’u rikthyer sërish në Institut, në gjysmën e dytë të viteve ’80, si kërkues mbi problemet socio-ekonomike dhe të reformave të tregjeve në bllokun e lindjes. Njohës i disa gjuhëve të huaja, gjatë kësaj periudhe ai dha leksione në disa fakultete të Tiranës. Bashkëkohësit e tij, dallonin tek ai mprehtësinë e mendimit, aftësinë e analizës dhe mendësinë liberale.

Kapërcimi në politikë

Fundi i vitit 1990 e gjen Shqipërinë në përpjekje te ethshme për t’u shkëputur nga e shkuara komuniste. Sinjalet e para ishin dhënë me kohë, dhe ato kulmojnë me protestat e studentëve në Tiranë në dhjetor. Pikërisht në këtë muaj, Fatos Nano emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Një muaj më pas, ngjitet në postin e zëvendëskryeministrit, në qeverinë e Adil Carçanit, të cilit do t’i zërë vendin, si kryeministër në fund të muajit shkurt ‘91. Qeveria e tij do të përgatiste zgjedhjet e para pluraliste në vend, të 31 marsit, në të cilat Partia e Punës rikonfirmohet në pushtet.

Nga kryeministri i fundit i epokës komuniste, ai do të bëhet kryeministri i parë i një vendi që kishte nisur një rrugë të re, atë të demokracisë. Në krye të qeverisë së formuar më 11 maj ai do të qëndrojë më pak së një muaj. Më 4 qershor vjen dorëheqja, për t’i hapur rrugë qeverisë së stabilitetit.

Rruga e Fatos Nanos tanimë është paracaktuar. Më 12 Qershor të vitit 1991, në kongresin e 10-të të Partisë së Punës lind Partia Socialiste dhe Nano do të zgjidhet kryetari i parë i saj.

Nga burgu i Berishës te betejat brenda PS

Ndërsa energjitë ishin përqendruar në reformimin e Partisë Socialiste, në opozitë me demokratët që kishin marrë pushtetin për herë të parë, në korrik të vitit 1993 Fatos Nano do të arrestohet për abuzim me ndihmat italiane, gjatë muajve që kishte qenë kryeministër në vitin 1991. Burgosja e tij u pa gjerësisht si një vendim me sfond politik, prapa së cilës qëndronte presidenti i kohës Sali Berisha, i cili kishte një kontroll të plotë mbi prokurorinë.

Në prill të vitit 1994 ai shfaqet në gjyq dhe dënohet me 12 vite burgim. Nga qelitë e Bënçës ai do të neutralizojë përpjekjet e disa eksponentëve socialistë, për ta shmangur atë nga kontrolli i Partisë. Pas trazirave që pasuan rënien e firmave piramidale, ai del nga qelia në mars të 1997-ës, dhe përfiton nga amnistia e dekretuar po nga Berisha. Në korrik të po atij viti, pas fitores në zgjedhje e 29 qershorit, ngrihet kabineti qeveritar Nano 3.

Por dhe këtë herë nuk do të qëndrojë shumë gjatë. Vrasja e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit1998, e pasuar dy ditë më pas nga tentativa për një grusht shteti nga Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha, që sot ka përfunduar në dyert e SPAK, e kishin futur vendin në një spirale të re destabilizimi. Ai dorëhiqet, për t’ia lënë drejtimin e qeverisë dyshes së të rinjve Pandeli Majko si kryeministër dhe Ilir Meta si numri 2.

Pak muaj më pas më pas, më 20 Janar 1999, ai jep dorëheqje nga drejtimi i partisë, duke kërkuar thirrjen e kongresit të Jashtëzakonshëm. Për Nanon nuk është një largim, por një përpjekje për t’u rikthyer me një legjitimitet më të fortë, përballë ambicieve të të rinjve në Parti që ai vetë i kishte ushqyer. Ai ndërmerr një tur në bazën e Partisë. Në 9 tetor të po atij viti, në Kongres, do të përballet në garën për kryetar të socialistëve, me Pandeli Majkon, i cili mbështetej dhe nga Meta. Është një nga momentet e rralla të demokracisë brenda një force politike. Nano arrin të fitojë, me një diferencë prej vetëm 36 votash.

Majko do të dorëhiqet pak ditë më vonë si kryeministër, ndërsa Nano kishte arritur marrëveshje me Metën, duke bërë ndarjen e postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit, e për pasojë duke ia besuar drejtimin e qeverisë, pikërisht Metës.

Të dy udhëheqin fushatën e zgjedhjeve të 2001, ku socialistët konfirmohen. Por paqja mes tyre është krisur, Nano ndërmerr shumë shpejt lëvizjen për katarsis. Në fund të janarit 2002 Meta jep dorëheqjen dhe drejtimin e Qeverisë e rimerr Pandeli Majko, post të cilin do ta mbante vetëm 5 muaj.

Si kryetar i Partisë socialiste Nano bëhet protagonist i debatit të vetëm televiziv ndonjëherë në Shqipëri mes kreut të mazhorancës dhe opozitës në vend, kur u vu përballë Sali Berishës 31 janarin e vitit 2002. Së bashku me Berishën arrin një marrëveshje për reformën zgjedhore me kreun e opozitës Sali Berisha, dhe të dy më pas zgjedhin Alfred Moisiun, në krye të presidencës. Më herët Nano kishte shfaqur ambicien për të qenë kreu i shtetit, por tashmë sytë i sërish nga qeveria.

Pas dorëheqjes së Pandeli Majkos në korrik 2022, krijohet Nano 4, dhe si Majko ashtu dhe Meta, mbahen brenda kabinetit qeveritar. Kjo do të ishte edhe periudha më jetëgjatë e Nanos si Kryeministër, fiks 3 vite, teksa 3 herët e mëparshme kishte qeverisur vetëm nga disa muaj.

Dy muaj pasi konfirmohet si kreu i ekzekutivit, në nëntor të 2002-shit, në moshën 50-vjeçare, Nano zyrtarizon lidhjen e re me 29-vjeçaren Xhoana. Më herët ishte divorcuar, pas 27 vitesh martesë me Rexhinën. Një akt që shkonte kundër tradicionalizmit të shoqërisë shqiptare të kohës, por që rikonfirmonte karakterin shpesh moskokëçarës së vetë atij.

Rruga përpara në drejtimin e vendit dhe të Partisë, do të jetë me ulje ngritje jo të vogla. Qeveria e tij kërruset gjithnjë e më shumë nën peshën e akuzave për korrupsion, ndërsa socialistët përjetojnë në 2004-ën dhe shkëputjen e Ilir Metës, i ndjekur nga një sërë figurash të njohura. Në pragun e partisë, një tjetër emër, me ambicie të qarta, Edi Rama, ishte shfaqur duke sfiduar hapur lidershipin e tij.

Humbja në zgjedhjet e vitit 2005, do të shënojnë fundin politik të Fatos Nano. Një fund i zgjedhur prej tij, duke u larguar dhe nga drejtimi i partisë, por dhe nga skena politike. Paraqitjet e tij publike do të jenë sporadike, deri kur në 2012, i rikthehet dëshirës së 10 viteve më parë, për të marrë postin e kreut të shtetit. Një përpjekje, e fundit, e cila has në kundërshtimin e Partisë së tij, tanimë në duart e Ramës.