Tre figura me profile të ndryshme por me angazhim të përbashkët në çështje publike dhe politike janë shfaqur si zëra të rëndësishëm të opozitës së re në Shqipëri. Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçka janë tre emrat për kandidaturën e Bashkisë Tiranës për PD në zgjedhjet e parakohshme përballë Manasitirlut të socialistëve.  

Ermal Hasimja, pedagog dhe analist politik, është një prej emrave më të njohur për qëndrimet kritike dhe analizat e thelluara mbi zhvillimet politike në vend. Ai ka qenë pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në fushatën e vitit 2005 që solli Partinë Demokratike në pushtet. Aktiv në media dhe botën akademike, Hasimja ka ndërtuar një profil të qëndrueshëm si zë kritik dhe i argumentuar në diskursin publik.

Edlira Çepani është një nga zërat më të spikatur në fushën e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Aktiviste dhe figurë publike, ajo ka qenë pjesë e disa nismave që synojnë fuqizimin e grave në politikë dhe vendimmarrje. E njohur edhe për angazhimin e saj personal dhe familjar në politikë, Çepani është bashkëshortja e të ndjerit Gerti Bogdani, ish-deputet i PD-së, me të cilin ka dy fëmijë.

Florian Haçka, një tjetër figurë e profilit qytetar, ka spikatur përmes angazhimit të tij në çështjen e të drejtës së votës për shqiptarët jashtë vendit. Ai është bashkëthemelues i nismës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe ka qenë aktiv në përplasjet institucionale lidhur me këtë temë, përfshirë një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe përballjen me heqjen e pasaportës shqiptare. Me formim profesional në Zvicër dhe Gjermani, Haçka ka kontribuar edhe në fusha si teknologjia, turizmi dhe menaxhimi.

Këtë të mërkurë opozita ka gjetur konsensusin për kandidat të përbashkët për Tiranën.