Nga Endri Tafani
Në atë mënyrë si degjeneroi procesi i kandidatëve për Tiranën, Partia Mundësia duhet të kishte dalë më vete me Ermal Hasimjen.
E para, i ofrohej Tiranës një kandidaturë serioze, me vizion dhe e përgatitur për të zgjidhur problemet e Kryeqytetit.
E dyta Partia Mundësia konsolidonte profilin e saj si një parti serioze me kandidatura serioze dhe vizion të qartë politik.
Ashtu siç vajti çështja e kandidatit, është e qartë që gara për Tiranën ishte e humbur përpara se të niste. Në këto kushte nuk është se opozita do humbte se Partia Mundësia dilte me kandidat më vete, prandaj nuk kishte pse të merrte përsipër kostot e humbjes të një “fronti opozitar” që në fakt nuk ekzistonte fare si front realisht.
Për më tepër, duke vajtur me gjysmë zemre pas kandidatit të PD (dhe këtë e dinë të gjithë), nuk është se Parità Mundesia do jetë efektive në mbledhjen e votave. Mbase duke u bashkuar pas qerres së PD, drejtuesit nuk kanë dashur të prishin “muhabetet” me anëtarësinë dhe elektoratin e PD, por kanë harruar që ai është një lum që e kanë kaluar me kohë që kur dolën me vete, pra nuk kanë pse të kenë akoma frikë të titullohet si prishës të “frontit opozitar”. Kjo zgjedhje me gjysmë zemre bën një gjysmë sens vetëm nëse plani afatgjatë i Agron Shehajt është të rikthehet në PD për të marrë drejtimin dhe nuk do të prishë punë sot me strukturat dhe elektoratin e PD. Them që bën gjysmë sens sepse risku është që Partia Mundësia të kthehet në një lloj LSI me ëndrrat e Metës për rikthim në PS dhe marrje kontrollit të saj gjë që përfundoi me një shkatërrim total të LSI në planin afatgjatë.
Kështu si veproi, duke vajtur pas PD (pa patur nevojë se siç u veprua me kandidatët me rezultate zhgënjyese këto zgjedhje janë të humbura) Partia Mundësia rrezikon dhe ajo të zhdukë identitetin e saj në planin afatgjatë si një forcë e re me vete (nëse ka një vizion të tillë).
Shkurt kjo mungesë guximi apo vizioni afatgjatë rrezikon projektin e saj pa ndonjë përfitim, ndërkohë që zgjedhja më një kandidat serioz do i jepte pikë më tepër në atë elektorat që kërkon figura serioze për të drejtuar dhe jo improvizim e të momentit.
Kjo ishte pika e fortë e Partisë Mundësia në zgjedhjet e majit, por me këtë zgjedhje për të vajtur me gjysmë zemre pas PD, ajo rrezikon pikërisht këtë pikë të fortë dhe vetë identitetin e saj.