Zhvillimet në opozitë kanë bërë një hap përpara. Përpjekja për të gjetur një kandidat jo nga strukturat e PD prodhoi një fenomen të ri, të panjohur më parë, pasi në përpjekje për të gjetur një kandidatë për kryetar bashkie, ata zbuluan një udhëheqës të ri të PD.
Aleatët u treguan shumë skeptikë me Berishën, por jo me Shkëlzenin.
Duke qenë të vendosur se kandidati nuk duhet të dilte nga Berisha, ata bënë propozimet e tyre për kandidatë që Berisha nuk ua mori parasysh.
Por kur në lojë hyri Shkëlzeni, ndryshoi gjithçka. Florian Binaj, si pjesë e shoqërisë së Shkëlzenit, u pranua madje duke kritikuar dhe Berishën.
Rasti i Agron Shehajt dhe Ermal Hasimes është më tipik në këtë rast. Edhe pse ju bashkuan Binajt, ata shprehën rezervë për mënyrën se si Berisha e bëri këtë proces.
Pra nuk pranuan procesin, por pranuan kandidaturën e Shkëlzenit.
Ky është një zhvillim i ri në opozitë që tregon se Berisha nuk është se nuk pranohet si një njeri që ka uzurpuar PD apo si një lider i korruptuar. Se po të jetë për korrupsion, ai atë punë ja ka lënë të birit që kur ishte kryeministër. Berisha nuk pranohet thjeshtë si plak pa perspektivë. Aleatët me sa duket janë të bindur që partia kalon nga Berisha tek Shkëlzeni dhe me këtë të fundit janë luajalë.
Kështu për herë të parë kemi një unifikim të faktorëve opozitarë rreth Shkëlzenit. Shehaj nuk pranon procesin e Berishës por pranon kandidatin e Shkëlzenit. Hasimeja nuk pranon kandidat partiak nga PD por pranon nga familja pronare e PD. Lapaj s’ia vlen të diskutohet se është pjesë e tenxheres së familjes.
Në përpjekje për të gjetur një kryetar të ri bashkie, në fakt gjetëm një udhëheqës të ri të PD, që e pranojnë të gjithë, i njohin pronësinë dhe të drejtën për t’i udhëhequr.
Pas kësaj Berisha rri kot ende kryetar. Vulën e mori, siglën e mori, paratë i ka djali, kandidatët ka vite që i vë djali, fushatat ka vite që i financon djali, televizionin dhe portalet e tjera të Berishës i financon djali, aleatët dhe opozita ja pranojnë djalin… kështu që nuk e kuptoj çfarë bën akoma që torturohet në krye të PD. Tani trashëgimia e tij është jo vetëm e siguruar, por dhe e pranuar nga të tjerët.
Opozita ka një udhëheqës në moshë të re, dhe aleatë të moshë me të, që të vetmen bezdi që paskan pas me Berishën, paskan qenë vitet e tij. Ky besoj është kulmi i ëndrrave që Berisha ka pasur për trashëgiminë në PD. Tani mund të rrijë për qejf e të dal si pensionistët partizanë dikur nga SHQUP vetëm për kafe. Kryetarin e ri e ka në punë./TEMA