Kremlini ka reaguar ashpër pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një raund të ri sanksionesh ndaj kompanive kryesore të naftës në Rusi.

Presidenti Vladimir Putin i quajti këto masa “provokim armiqësor”, duke theksuar se ato nuk do të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Sanksionet e reja të shpallura nga Trump janë një akt armiqësor dhe nuk kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit,” deklaroi Putin, sipas agjencisë Tass.

Duke folur përpara gazetarëve, kreu i Kremlinit theksoi se masat e SHBA-së “nuk do të kenë ndikim të ndjeshëm mbi ekonominë ruse”, duke u shprehur se “asnjë vend që e respekton veten nuk vepron kurrë nën presion”.

Putin reagoi gjithashtu ndaj diskutimeve për një mundësi që raketa amerikane Tomahawk t’i dorëzohen Kievit. Ai paralajmëroi se çdo përdorim i tyre kundër territorit rus “do të marrë një përgjigje të ashpër, në mos tronditëse”.

“Nëse këto armë përdoren për të goditur territorin rus, përgjigjja jonë do të jetë shumë e fortë, madje shtypëse. Le të mendojnë mirë për këtë,” tha presidenti rus, duke e cilësuar mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa Tomahawk si “një përpjekje për përshkallëzim të qëllimshëm”.

Putin konfirmoi gjithashtu se takimi i planifikuar me Donald Trump në Budapest “është propozuar nga SHBA-të”, por se presidenti amerikan “duket se ka vendosur ta anulojë ose ta shtyjë atë”.

“E shoh që në deklaratën e tij presidenti amerikan ka vendosur të anulojë ose të shtyjë këtë takim,” tha Putin, duke shtuar se “dialogu është gjithmonë më i mirë se çdo përplasje, mosmarrëveshje apo, aq më tepër, luftë. Prandaj, ne kemi qenë gjithmonë për vazhdimin e dialogut dhe kjo vlen edhe tani.”

Në reagimin e fundit të tij, Putin përsëriti thirrjen për dialog me SHBA-në.

“Dialogu është gjithmonë më i mirë se çdo sqarim me forcë apo luftë. Për këtë arsye ne kemi mbështetur gjithmonë vijimin e komunikimit, edhe tani,” theksoi ai.

Deklaratat e Putin vijnë në një moment tensioni të lartë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit, pas valës së re të sanksioneve kundër kompanive ruse të energjisë dhe paralajmërimeve amerikane për furnizime të reja ushtarake ndaj Ukrainës.